Transmetuar më 19-02-2018, 22:40

Nga Mero Baze

Ka njëqind arsye për të kundërshtuar propozimin e Edi Ramës për një president honorifik të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe akoma më shumë arsye për padobishmërinë e tij. Është një nga ato gjërat që Edi Rama i bën me qejf për t’i mbajtur miqtë e armiqtë rreth vetes, qoftë dhe duke e sharë.

Dhe duke qenë i tillë, nuk ja vlen të komentojmë Edi Ramën.

Reagimet e shqiptarëve ndaj Edi Ramës, duhet të na vlejnë për të kuptuar se sa rëndë dhe sa joseriozë jemi, dhe kur kemi të drejtë të jemi të ashpër me një politikan si ai.

Nëse Edi Rama do merret 30 sekonda seriozisht për atë që tha, duhet marrë si një provokim ndaj Perëndimit, dhe jo ndaj shqiptarëve. Nëse Perëndimi do ta marrë seriozisht atë deklaratë, ka plot probleme që duhen parë në themel me linjat e politikës së jashtme shqiptare në rajon e më gjerë. Por, Perëndimi është i përmbajtur jo se i pëlqen deklarata, biles nuk e honeps dot fare atë retorikë, por di të bëjë skonton e populizmit në Ballkan.

Kurse reagimet shqiptare janë një mjerim.

Pikësëpari, përjashto disa intelektualë mendjehapur, që kanë kapur të vetmin thelb problematik të këtij reagimi, që po të ishte serioz, ishte karshillëk ndaj Perëndimit ndaj statusit të sotëm të shqiptarëve në Ballkan, dhe një lloj dyshimi mbi të ardhmen e rrjedhave të Kosovës drejt Perëndimit, gjithë reagimet e tjera, nuk janë në funksion të dëmit që mund të bëjë kjo deklaratë, por të halleve të gjithësecilit, sikur kjo deklaratë u bë realitet.

Po t’i shikosh reagimet shqiptare e t’i shtrydhësh ato, sidomos ato të Kosovës, duket sikur ajo që tha Edi Rama, u bë, dhe ata po mendojnë si po ua merr ky postin e presidentit kombëtar.

Dikush ka hall se Rama po fut në varësi Kosovën, a thua që ai e caktoi që presidenti do jetë nga Gjirokastra, një palë tjetër ka hall se mos presidenti do zgjidhet nga ata që mbjellin kanabis, e të tjerë që përfytyrojnë president vetë Edi Ramën.

Mjerimi është se në vend që shqiptarët të zbulojnë në këtë rast, mendjen e hapur pro-perëndimore të tyre, dhe më së paku të tallen me këtë deklaratë, ata sillen si një katund i vogël, që bën sherr se kush do zgjidhet kryeplak. Biles mezi po pres dhe reagimet nga Presheva, Mali i ZI e Maqedonia, të thonë dhe ata pse mos ta kemi dhe ne si përfaqësues atë presidentin e Ramës.

Në një farë mënyre, provokimi i Edi Ramës zbulon trishtueshëm mentalitetin shqiptar, mjerimin intelektual të debatit publik, dhe mungesën e një mendimi të qëndrueshëm shqiptar rreth identitetit tonë dhe të ardhmes sonë në Europë.

Mjafton një broçkull populiste në një festë të Kosovës, ku dhe ashtu gati sa nuk u përmbys tavolina para festës nga një kryeministër ekscentrik, që siç kthen gotat me fund, apo hidhet në pishina me rroba pas pijes, po ashtu tenton të bëjë politikë, që ata të cilët ndjekin debatin, të shikojnë se më joserioze se ajo që tha Edi Rama, është ajo që thonë shqiptarët e tjerë pas tij.

Grupi i dytë i defiçentëve, janë të përcaktuarit si nacionalistë shqiptarë, andej e këtej kufirit, të cilët janë të magjepsur nga ideja se kjo mund të ndodhë, por u vjen inat që këtë ide e ka thënë dikush që ata e dinë që nuk e ka seriozisht. Por dhe ata shkëlqejnë me heshtjen e tyre si njerëz të kompleksuar, që dëshmon se nacionalizmin e kanë ideologji pushteti, dhe jo identitet. Vigjilentë ndaj idesë se mos historia i dokumenton si kundërshtarë të një “ideje kombëtare”, ata nuk dinë ç’të bëjnë me këtë “hata” që u ka ndodhur, dhe ata nuk janë pjesë e kësaj historie.

Dhe në fund, natyrisht më të shëmtuar janë politikanët e Tiranës, të cilët Edi Rama nuk ka nevojë t’i tallë si patriotë, se i ka tallur si kundërshtarë, kur i ka futur në çadër për revolucion dhe i ka nxjerrë për dy tendera në CEZ dhe një faturë pallati 13 milionë dollarë. Këta mendojnë se një president më shumë, është një hajdut më shumë, duke fyer kështu dhe Thaçin e Metën, dhe akoma më keq, mendojnë se kjo gjë dhe mund të bëhet, sikur presidentët e sotëm të mos ishin hajdutë.

Ky është realisht mjerimi anti-perëndimor i shqiptarëve, dhe nëse ka bërë një dëm real Edi Rama me këtë deklaratë, nuk është se ka marrë ndonjë rrezik personal mbi supe, pasi ai di ta kthejë në humor pas ca kohësh këtë gjë, por ka zbuluar një mentalitet anti-perëndimor, primitiv dhe të pastabilizuar, rreth çështjes shqiptare në rajon.

Njësoj siç ka zbuluar thelbin primitiv të shoqërisë serbe, duke i provokuar në Beograd, apo duke tërbuar nacionalizmin e vjetër grek me refuzimin katërvjeçar, tani na bëri dëm, duke na zbuluar çfarë mendojmë vërtet për veten tonë dhe Perëndimin.

S’di të them nëse kjo që na ka bërë është moderne apo primitive për një politikan, por është një gjë e pashpirt ndaj banalitetit tonë, pasi tregoi çfarë tmerri është shakaja e bashkimit kombëtar. Dhe i vetmi dëm real që na ka bërë, nëse do flisja si propogandist i “çështjes kombëtare”, siç “po na thërret atdheu”, sot!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al