Transmetuar më 15-02-2018, 20:14

Në një kohë kur politika dhe arti po ziejnë nga debati për Teatrin Kombëtar, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka premtuar se mbi godinën e vjetër, do të ndërtohet një teatër i ri modern.

I ftuar në koncertin "Vienna Salutes Tirana", i cili çeli zyrtarisht Vitin Kulturor Austri - Shqipëri në Tiranë, Erion Veliaj, deklaroi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës, do të nisë shumë shpejt ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar, e cila do të jetë e denjë për artistët si dhe për publikun artdashës.

“Unë kam një lajm të mirë sot. Ne tashmë e kemi marrë një vendim, nuk është sekret. Tirana do të ketë një Teatër Kombëtar  modern, pa kullë sipër, në vendin ku është teatri sot, do të jetë ndër më të mirët në Evropë dhe jemi të vendosur që në kohë rekord ne ta zhvillojmë këtë projekt.

Ju premtoj sot publikisht që në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, me Kryeministrin, me ministren e Kulturës dhe të gjithë dashamirësit, ne do të kemi një Teatër Kombëtar  të paprecedentë në të të gjithë Europën”, theksoi Veliaj.

Mbetet për t’u parë se si do ta presin këtë qëndrim aktorët e Teatrit Kombëtar, të cilët kanë intensifikuar lëvizjet e tyre për të mbrojtur atë që e quajnë shtëpi të dytë. /k.k/noa.al/