Transmetuar më 14-02-2018, 12:25

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Nikolla janë mbledhur sot me pedagogët për të diskutuar problematikën që u shfaq aty me një konflikt mes bordit dhe rektoratit. Rama i konsideroi këto probleme të brendshme. Ai tha se problemi i qeverisë ishte me grantin e pakushtëzuar që tani u zgjidh.

Sipas tij, gjithçka më pas do të varet vetëm prej tyre. Ligji është aprovuar tha ai dhe s’ka kthim pas. Rama deklaroi se reformën nuk e merr dot peng askush dhe se sot Universiteti ka një sfidë të re, që është autonomia e zgjeruar.

“Askush nuk e merr dot peng reformën me shfaqje sado legjitime të jenë. Shqetësimet kanë mundësi të shprehen në rrugën e kësaj reforme. Problemi që universiteti ka sot është me veten, jo me qeverinë. Sepse UT sot ka një sfidë të re, një autonomi e zgjeruar (në letër) dhe debati që unë dua të bëj është se çfarë duhet të bëjë qeveria më shumë për autonominë, jo si qeveria të ndajë engjëjt nga djajtë. Kjo është një e kaluar, që s’ka lidhje me mua, e qeverinë”, u shpreh Rama.

Ndërsa lidhur me vonesat e pagave, kryeministri deklaroi se kjo është një shembull shumë i qartë se reforma është sfidë edhe për ta që e kanë udhëhequr dhe kanë hartuar legjislacionin. 

"Vonesa e pagave është një shembull i faktit që reforma është sfidë, edhe për ne që e kemi udhëhequr dhe e kemi kthyer në legjislacion. Sepse na ka vonuar ne si qeveri një debat mes ministrisë së arsimit dhe asaj të financavce për trashëgimin e grantit të pakushtëzuar. Ministria e Arsimit këmbëngul që granit i pakushtëzuar trashëgohet automatikisht dhe administrohet nga vetë univetrsitetit. 

Ndërsa ministria e Financave këmbëngul që po trashëgohet por cdo vit duhet një aprovim i ministrisë së Financave për trashëgueshmërinë. U deshën disa ditë për të hapur rrugën e zgjidhjes dhe rruga e zgjidhjes është fondet e universitetet trashëgohen dhe nuk varet nga vullneti i ministrisë së Financave”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit deklaroi më tej se nuk do rrisë më pagat për pedagogët, pasi janë vetë universitetet që duhet të përcaktojnë për rritjen ose jo të pagave dhe kjo do të varet nga performanca.

“Ne morëm një vendim për rritjen e rrogave. Është hera e fundit që qeveria rrit rroga, ndërkohë që i takon çdo universiteti të vendosë për rrogat. Dikush mund të marrë më shumë dhe dikush më pak, kjo varet në bazë të performancës”, shtoi ai./b.l/noa.al/