Transmetuar më 13-02-2018, 13:19

Një grua është shndërruar në fituesen e 30.000 dollarëve falë gabimit të një shitësi kur ajo po përpiqej të blinte disa bileta lotarie.

Victoria Ethridge, 52 vjeçe, nga Salina, u tha zyrtarëve të “Lotary Kansas” se shitësi në një dyqan pranë lagjes së saj të banimit bëri një ngatërresë kur ajo kërkoi dy bileta 2 dollarëshe.

“Unë shkova në dyqan dhe kërkova dy bileta prej 2 dollarësh të çastit. Punonjësi i dyqanit aksidentalisht tërhoqi dy bileta të ‘Star Trek’ 5 dollarëshe që nuk i kisha kërkuar. Në fakt ai kërkoi falje dhe u ofrua t’i ndërronte ato, por unë i thashë se do t’i ruaj. Ato mund të jenë me fat i thashë”, tregoi Ethridge.

52 vjeçarja tha se ndjenja e saj në fakt doli të ishte e saktë, pasi një nga biletat ishte fituese prej 30,000 dollarësh. “Isha vetëm në shtëpi kur e gërvishta atë dhe çfarë të shihja”, u shpreh Ethridge.

Ajo tha se e kishte gërvishtur biletën fituese që dy ditë para Krishtlindjeve, por priti vetëm javën e kaluar për ta sjellë atë në selinë e lotarisë.

“Po përpiqesha të kuptoja se çfarë të bëj me të. E kam ruajtur me kujdesin më të madh këtë biletë më besoni, ka qëndruar në çantën time dhe e kam mbajtur çantën pranë meje në çdo kohë”, tha ajo duke qeshur.

Ethridge tha se ajo ka planifikuar të përdorë fitimet e saj për të blerë një makinë dhe për të bërë disa investime./b.l/noa.al/