Transmetuar më 13-02-2018, 10:21

Goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike të drogave të forta, duke sekuestruar 1 kilogramë e 520 gramë heroinë.

Policia e Kakvijës bëri arrestimin në flagrancë të 37-vjeçarit Elton Ferko, i cili mbrëmjen e djeshme, është paraqitur në dalje të Shqipërisë për të udhëtuar drejt Greqisë me autobusin e linjës Tiranë- Athinë.

Pas procedurave të kryera në sistemin TIMS nga punonjësit e policisë Kufitare, autobusi është kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm.

Nga kontrolli fizik i ushtruar nga punonjësit e Policisë Kufitare Ferkos iu gjetën dy pako në trup dhe një pako në çantën e dorës me lëndë të dyshuar narkotike heroinë.

Pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 1 kilogramë e 520 gramë,  e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

37-vjeçari nga Fieri u arrestua në kushtet e flagrancës ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. /a.y/noa.al