Transmetuar më 12-02-2018, 19:06

Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është pjesë e një grupi që kryente krime kibernetike.

Bëhet fjalë për një 25-vjeçar nga Fieri, Aldo Ymeraj, i cili është arrestuar nga policia, në një operacion të iniciuar nga SHBA dhe disa shtete.

Arrestimi i tij është bërë në Tiranë, dhe mësohet se i riu është pjesë e grupit criminal të quajtur "Infraud".

Ndaj Aldo Ymerajt, ka një urdhër arresti nga SHBA, për  vepra të ndryshme penale në fushën e krimit kibernetik,  pjesëtar i një organizate kriminale  që shiste të dhëna të vjedhura kartash krediti në internet, duke u shkaktuar konsumatorëve një humbje prej 530 milionë dollarësh.

Nga 36 personat ndaj të cilëve u ngrit padi, 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.

Grupi i quajtur “Infraud”, ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34-vjeçar ukrainas, dhe përdorte një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale. /k.k/noa.al/