Transmetuar më 12-02-2018, 13:30

“Kryeministri ia hedh me një falje për faje të rënda, ndërsa populli shkon në burg, po prokuroria ku është, çfarë bën?”

Është ky qëndrimi i kreut të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili thotë se Kryeministri dhunon ligjin dhe i thotë policisë flakni uniformat e bëni vota për rilindjen dhe më pas kërkon falje.

“Prokuroria çfarë bën??? Pedagogët nuk marrin rrogat se aktet nënligjore qeveria nuk i bën. Ministrja e Arsimit kërkon falje. Prokuroria çfarë bën??? Kryeministri megjithëse i paralajmëruar jep leje për HEC në Osum dhe dhunon ligjin. Pastaj kërkon falje. Prokuroria çfarë bën??? Kryeministri shpërdoron qindra milionë lekë për palmat e thara në autostradë. Pastaj kërkon falje. Prokuroria çfarë bën???”, shkruan Vasili në Facebook.

Ai shton se Kryeministri këtë drejtësi të ligë kërkon, që për vete ti mbyllë fajet e tij me një falje.

Ndërsa drejtësia tjetër sipas tij, për qytetaret që i fut në burg për pesë lekë energji elektrike të papaguar apo një faturë uji, apo për një shkelje të rëndomtë rrugore.

“Kjo është drejtësia ‘e re’ e tharë si palmat në autostradë”, mbyll qëndrimin e tij Petrit Vasili. /a.y/noa.al