Transmetuar më 12-02-2018, 10:15

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër vendosi ditën e djeshme masën e sigurisë “arrest me burg” për dy autorët e dyshuar të atentatit ndaj Lulzim Kullës me 13 janar në Shkodër.

Bëhet fjalë për Endri Çopja dhe Argel Lulaj, të cilët dyshohet të jenë autorët e vendosjes së tritolit ku u plagos Lulzim Kulla dhe 7 të tjerë. Gjithashtu, gjykata la në burg edhe shtetasin Serxho Teta, pasi akuzohet për moskallëzim krimi.

Të pandehurit mohuan akuzat gjatë seancës gjyqësore duke deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen e ndodhur.

Në sallën e gjyqit dy autorët e dyshuar dhe shtetasi Teta kanë mohuar se kanë lidhje me ngjarjen e ndodhur në 13 janar ku objektiv ishte biznesmeni Kulla për arsye që ende nuk janë të qarta. “Atë ditë kam qenë në Shkodër, por kam qenë për të blerë lëndë narkotike cannabis sativa.

“Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën akuzohem. Nuk jam unë autori i vendosjes së tritolit”, ka deklaruar Endri Çopja në sallën e gjyqit gjatë seancën për masën e sigurisë ndaj tij. Argel Lulaj edhe ai i akuzuar si autor i vendosjes së tritolit me 13 janar mohoi akuzat ndaj tij duke thënë se ka qenë thjeshtë si shoqërues i shokut të tij Endri.

“Unë nuk kam lidhje me atentatin. Unë kam qenë në Shkodër me 13 janar vetëm për të shoqëruar shokun tim Endri.

“S’kam asnjë lidhje me ngjarjen dhe nuk jam unë autor siç akuzohem”, tha Argel Lulaj në gjyq. Edhe Serxho Teta, i akuzuar për “moskallëzim krimi” ka mohuar akuzat ndaj tij duke thënë se ishte thjeshtë shoqërues, shkruan ‘Gsh’.

“Unë nuk kam informacion për atentatin dhe as autorët. Isha në Shkodër si shoqërues me shokët e mi dhe nuk di asgjë më shumë për çfarë akuzohem”, deklaroi shtetasi Teta.

Nga ana tjetër, prokurori Albert Murçaj ka kërkuar “arrest me burg” për tre shtetasit e akuzuar pasi ka prova të mjaftueshme që mund të vërtetojnë se Endri Çopja dhe Argel Lulaj janë autorët e vendosjes së tritolit me 13 janar në Shkodër.

Dy autorët e dyshuar Endri Çopja dhe Argel Lulaj sipas organit të akuzës janë identifikuar përmes pamjeve filmike ditën e ngjarjes nga kamerat e sigurisë e po ashtu janë vënë në përgjim pas 13 janarit kur ndodhi ngjarja.

Këto janë provat që ka prokuroria deri tani ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë. Organi i akuzës pretendon se dyshimet e forta të dokumentuara përmes provave të deritanishme çojnë tek dy të akuzuarit. “Me 13 janar Endri Çopja dhe Argel Lulaj bashkë me shtetasin Serxho Teta kanë qenë në Shkodër, ditë kur ndodhi edhe shpërthimi me tritol në lagjen Rus duke lënë të plagosur shtetasin Lulzim Kulla që ishte objektivi dhe shtatë persona të tjerë. Tre shtetasit kanë ardhur me një makinë deri në Shkodër.

Më pas kanë marrë motoçikletën në të cilën kanë vendosur sasinë e tritolit. Endri Çopja dhe Argel Lulaj kanë vendosur motoçikletën afër mjetit në pronësi të Lulzim Kullës dhe më pas kanë mundësuar shpërthimin e telekomanduar. Nga pamjet filmike nga kamerat e sigurisë këta dy shtetas janë parë afër vendit të ngjarjes, por edhe në një vend tjetër më larg. Pas ngjarjes dhe pamjeve filmike të sekuestruara dhe dyshimeve të para këta shtetas janë vënë në përgjim duke bërë që të kemi të tjera prova që mund të vërtetojnë se Endri Çopja dhe Argel Lulaj janë autorët e vendosjes së lëndës shpërthyese. Kërkojmë masën e sigurisë ‘arrest me burg’ duke u bazuar tek provat që kemi deri në këtë fazë të hetimit”, tha prokurori Murçaj. Avokati mbrojtës Genci Gjokatuj kërkoi lehtësim të masës së sigurisë ndërsa pas seancës nuk pranoi që të komentojë për mediat. Në fund gjyqtari Hasan Selmi dha masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Endri Çopja, Argel Lulaj dhe Serxho Teta.

Ngjarja

Me 13 janar shtetasi Lulzim Kulla mbeti i plagosur në një atentat ku u vendosën rreth 500 gram tritol e llojit C4 në lagjen “Rus” pranë makinës ku kishte parkuar biznesmeni. Bashkë me të u plagosën edhe 7 shtetas të tjerë. Pas hetimeve të deritanishme policia dhe prokuroria kanë arritur të arrestojnë tre shtetasit, dy prej të cilëve të dyshuar si autor të vendosjes së tritolit.

Pas arrestimit të tre shtetasve të akuzuar në Elbasan, prokurori i Shkodrës Anton Martini dhe drejtori i policisë vendore Gjovalin Loka u shprehën në një deklaratë për mediat se nevojiten të tjera prova për të dokumentuar dhe zbardhur të plotë ngjarjen dhe se hetimet vazhdojnë përsëri. Seanca për masën e sigurisë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër u zhvillua nën masa të rrepta sigurie ndërsa gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura.

Lihen në burg atentatorët e Lul Kullës: S’kemi lidhje me ngjarjen, hera e parë që vijmë në Shkodër

Atentati ndaj Lulzim Kullës, policia zbardh ngjarjen dhe arreston autorët e dyshuar