Transmetuar më 11-02-2018, 07:51

Shqiptari Ermal Meta dhe italiani Fabrizio Moro janë fituesit e Festivalit të Sanremos për vitin 2018. Dyshja rrëmbeu çmimin e parë me këngën "Non mi avete fatto niente". Në vendin e dytë u rendit Stato Sociale, ndërsa në të tretin Annalisa.

Meta dhe Moro e shkruajtën tekstin e këngës së tyre pas atentatit në Manchester, në koncertin e yllit amerikan të pop-it Ariana Grande. Ditët e fundit, kënga ishte në qendër të polemikave sepse akuzohej për shkelje të rregullave të Festivalit, për shkak se kishte ngjashmëri me një këngë të prezantuar në vitin 2016, autor i së cilës ishte Moro.

Në fund produksioni vendosi që "Non mi avete fatto niente" mund të vijonte garën. Për të dy artistët kjo ishte hera e parë që fitonin çmimin e madh në Festivalin e Sanremos.

Edicioni i 68-të i festivalit të këngës në Itali, Sanremo, është ngjarja më e rëndësishme e muzikës në vendin fqinj. Një festë muzikore 5 ditore e cila filloi në datën 6 shkurt dhe u mbyll mbrëmjen e datës 10 shkurt me finalen e madhe e cila zgjati më shumë se 4 orë. 

Ky edicion i Sanremos u prezantua nga tre emra shumë të njohur të artit në Itali - Muzikanti Claudio Baglioni; modelja, aktorja, moderatorja Michelle Hunziker dhe aktori Pierfrancesco Favino.

Ashtu si ndodh edhe në vendin tonë, kënga fituese e Sanremo do të përfaqësojë Italinë në Festivalin Europian të Këngës, Eurovision, i cili mbahet në datat 8, 10 dhe 12 maj në Lisbonë të Portugalisë./b.l/noa.al/