Transmetuar më 10-02-2018, 20:24

Gjon Mark Ndoj tashmë ka vdekur.

Ai arriti t’i mbijetojë diktaturës dhe i fali spiunët prej të cilëve bëri 17 vite burg, mbushur me tortura nga më ç’njerëzoret, ndonjëherë për krime që nuk i kishte kryer.

Bashkëshortja Vitorja dhe djali Leonard, kërkojnë sot zbardhjen e të vërtetës, se çfarë ndodhi në ato 17 vite. Në dosjen e Gjonit janë dhe emrat e atyre që i shkatërruan jetën. Familjarët e tij kanë 7 muaj që presin këtë moment, por Vitorja dhe Leonardi, nuk duan hakmarrje…

Identiteti i spiunëve pak a shumë dihej, ata ishin 3. Kanë jetuar me ta në të njëjtin qytet dhe i kanë kaluar pranë. Por falje kurrë nuk u është kërkuar.

Mësuesi 17-vjeçar, Gjon Mark Ndoj, së bashku me figura të tjera të spikatura intelektuale dhe antikomuniste të veriut shtypnin trakte antikomuniste, që më pas i shpërndanin duke filluar nga fshati Orosh dhe më pas në mbarë vendin. Dokumenti ra në duar të gabuara dhe prej aty nisi kalvari i vuajtjeve. Megjithatë prova materiale, makina e shkrimit, nuk u gjet kurrë. Ajo u fsheh nga motra e Gjonit, duke i lehtësuar disi të vëllait dënimin.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i ofron ballafaqimin me spiunët. Bashkëshortja e Gjonit dhe i biri pranojnë, duke i njoftuar paraprakisht se i kanë falur.

Sipas Drejtorit të Informacionit pranë Autoritetit, ky lloj ballafaqimi, për të parë në sy autorët e shkatërrimit, që aplikohet gjerësisht në Gjermani, nuk ka ndodhur kurrë në vendin tonë.

Edhe pse familjet e viktimave janë shumë më tolerante se ata që u shkatërruan jetën. Çka bën të mendohet se ka qenë pikërisht refuzimi i tyre, ai i cili i e ka bërë të pamundur një praktikë të tillë.

Të gjitha vuajtjet e tij dhe shokëve të burgut, Gjon Mark Ndoj, i përmblodhi në 5 libra. Leonardi tregon sesi i ati rrezikoi pushkatimin për vrasjen e një komunisti të famshëm mirditor, Bardhok Bibës. Verdikti ishte marrë, edhe pse Gjoni ndodhej në hetuesi që prej 3 muajsh para kësaj vrasjeje, transmeton Klan Plus. Rrethanat e sollën që t’i shpëtonte pushkatimit, por jo 10 viteve të tjera burgimi e torturash, çka do të ishte dënimi i dytë ndaj tij.

Pasi doli nga burgu 40 vjeç, Gjoni u martua me Vitoren, një grua pa probleme në biografi, ndryshe nga ai. Ata patën 4 fëmijë.

Por edhe pas burgut, terrori vazhdonte. Familja u përça dhe vëllezërit e distancuan. Ai nuk u pranua të merrte pjesë në mortin e të afërmve dhe as këta nuk morën pjesë në mortin në shtëpinë e tij.

Me dosjen në krah, Leonardi dhe Vitorja largohen, të paqartë si më parë dhe me shumë fletë për të shfletuar nga historia e atij që nuk pranoi të përkulej.