Transmetuar më 09-02-2018, 11:13

Zakonisht dyshimi për një anemi të  mundshme tek fëmija fillon në momentin që ai paraqitet i zbehtë në lëkurë. Gjithashtu shenja të tjera mund të jenë: rrahjet e shpejta të zemrës, mungesa e oreksit, gjuhë e skuqur dhe e acaruar etj.

Cilat janë arsyet që shkaktojnë aneminë tek fëmija?

Mungesa e hekurit është një nga shkaqet më  kryesore, i cili është shumë i rëndësishëm për krijimin e hemoglobinës (qeliza e kuqe e gjakut që mbart oksigjen). Zakonisht anemia shfaqet kur rritja e fëmijës është e menjëhershme dhe nuk arrin të sigurohet sasia e nevojshme e hekurit. Anemia mund të shfaqet edhe nga përthithja jo e mirë e hekurit.

Si duhet të trajtohet anemia?

Fëmija duhet të marrë suplementa hekuri si edhe ushqime të pasura me hekur (pasi ka filluar ushqimet e ngurta). Suplementët e hekurit që zakonisht merren nëpërmjet pikave janë të rëndësishëm sepse në disa raste ushqimi nuk e plotëson nevojën e fëmijës. 

Hekuri përthithet më mirë nëse stomaku është bosh, por duke qënë se mund të shkaktojë probleme në stomak mjeku mund t’jua rekomandojë t’ja jepni fëmijës me ushqime apo qumësht (formule/gjiri). Zakonisht situata normalizohet pas disa muajve, megjithatë fëmijës mund t’i vazhdohet një dietë e pasur me hekur edhe për një periudhë 6-12 mujore.

Si të parandaloni mungesën e hekurit te fëmijët

Për të parandaluar mungesën e hekurit te fëmijët, prindërit duhet të kenë parasysh sasinë, llojin e ushqimeve dhe me çfarë t’i shoqërojnë. Sasia ditore e qumështit duhet kufizuar deri në 700 ml.

Dieta ushqimore duhet të jetë e pasur me ushqime që përmbajnë hekur më shumë sesa të tjerat, mish të kuq, mish pule, peshk, fasule, thjerrëza etj.

Këto ushqime duhen shoqëruar me ushqime të pasura me vitaminë C, e cila ndihmon në përthithjen e hekurit, si domate, brokoli, portokalle, luleshtrydhe, kivi etj.

Drithërat për fëmijë të pasuruara me hekur mund t’i jepen fëmijës deri në moshën 2 vjeç./b.l/noa.al/