Transmetuar më 03-02-2018, 21:56

Banka Kombëtare e Greqisë (NBG) njoftoi sot zyrtarisht se ka shitur të gjitha aksionet e Banka NBG Albania Sh.A tek banka “ABI” – American Bank of Investments, ish banka bujqësore franceze (Credit Agricole).

NBG njoftoi se ka shitur 100 për qind të aksioneve, por nuk tha sa ishte shuma e shitblerjes.

Edhe ABI në njoftimin e saj, nuk e dha këtë informacion për publikun.

Gjithashtu Banka e Shqipërisë nuk e ka njoftuar këtë shitblerje dhe as vlerën e saj, duke bërë që kjo shitje të mbetet në errësirë informacioni.

Përfundimi i transaksionit është subjekt i aprovimit të Autoriteteve Rregullatore vendase.

NBG në njoftimin e saj thotë se ABI bank është 100 për qind pjesë e Tranzit shpk, një institucion financiar jobankë shqiptar.

Më herët para pak muajsh, u shit edhe Veneto Banka e cila u ble nga Intesa Sanpaolo. Por ndryshe nga rasti i NBG me ABI, Intesa njoftoi publikisht se e kishte blerë 1 euro bankën Veneto në Shqipëri.

NBG Albania operon në tregun shqiptar prej vitit 1996 dhe është e njohur për kreditë inovative individuale. Banka ka një bazë të gjerë klientësh depozitues dhe shtrirje të rrjetit të degëve në qytetet kryesore të Shqipërisë. 

Asetet e NBG Albania në fund të tremujorit të tretë të 2017 ishin 40 miliardë lekë, ose 2.8% e totalit të sistemit bankar. Banka kishte gati 4% të stokut të huave dhe 2.6% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. 

Për 9 mujorin ajo kishte deklaruar një humbje prej rreth 133 milionë lekësh.

Ndërsa asetet e Bankës Amerikane të Investimeve (ish-Crédit Agricole që në 2015-n u ble nga NCH Capital) ishin 2.81 miliardë lekë, ose 2.85% e totalit.

Në këtë mënyrë, pas blerjes ABI do të ketë 5.65% të totalit të aseteve të sistemit bankar, duke u ngjitur në bankën e gjashtë më të madhe në sistem, pas BKT (27.8%), Raiffeisen (17%), Credins (12.06%), Intesa (11%), Societe (5.8%).

NBG ishte ndër të parat banka private në Shqipëri dhe ndër më kryesoret. Ajo u çel më 1996 dhe konsiderohej si një ndër bankat më serioze dhe më të sigurta.

Tani nuk dihet nëse NBG do të jetë me emrin ABI apo do ta ruajë emrin e deritanishëm. /noa.al/