Transmetuar më 28-01-2018, 22:42

Nga Ylli Manjani

Në asnjë shtet ku vepron ligji nuk ndodh që prokurorit i heqin nga duart të pandehurin dhe e marrin në përgjegjësi penale, për këtë gjë!

Është kulmi i maskarallëkut!

E përsëris: i thonë prokuroreve që hetojnë trafikantin, jeni fajtorë për faktin se ne (dmth eprorët) ta hoqëm trafikantin nga dora!!!

Kjo ndodh në prokurorinë e përkohshme të përgjithshme që merret me çështje të përveçme!

Zgjedhja e zonjës Arta Marku në dhunim të Kushtetutës, nuk mund të mos prodhonte kësi ngjarjesh të shëntuara!

Ligji i shtetit ngarkon me përgjegjësi Prokurorin e Përgjithshëm që të mbledhë të dhëna e të koordinojë prokuroritë e çdo hallke! Nuk mund të ketë faj prokurori i thjeshtë, pse Prokurori i Përgjithshêm vendos, pa e pyetur, largimin e personit që ai (prokurori i çështjes) po e heton.

Ja largojnë të pandehurin fshehtas dhe i thonë “ fajin e ke për largimin që bëmë ne”! Kulmi!

Kjo llogjikë vetëm në ligjet e drogës e të krimit zbatohet, jo nga drejtuesit e Anti-krimit!

Kujt i bëhet qejfi duke goditur pa faj prokurorë e çështjes?

Fare e thjeshtë: trafikantëve dhe politikanëve që janë me ta!

Ja ku është prova e kapjes së drejtësisë: në krye të Prokurorisë duke larguar çdo provë apo person nga hetimi dhe drejtësia shqiptare!

Asnjë filtër i shtetit nuk funksionoi, asnjë!

Se me ç’urdhër doli nga paraburgimi i pandehuri? Si ka mundësi që drejtuesja e Prokurorisë dhe Ministrja e Drejtësisë pretendojnë se nuk e dinin që ai ishte i arrestuari i drejtësisë sonë?

Ka shumë pyetje, por përgjegjëse është PROKURORIA e PERGJITHSHME! Ajo është e para! E kishte për detyrë ta dinte këtë gjë!

Bashkë me të duhet ta dinte Drejtoria e Burgjeve dhe Policia e Shtetit, por këto vijnë të dytat në radhë.

Në fund pa dyshim edhe Ministrja e Drejtësisë e cila e kishte për detyrë të dinte statusin e te paraburgosurit! Drejtoria e Burgjeve pyetet gjithmonë sa herë merret një vendim ekstradimi!

Çdo me thënë kjo “nuk e dinim”?!

Nëse duam të argumentojmë me llogjikën e ligjit të shtetit kjo është rruga! Nëse përdoret llogjika e drogës ajo që bënë me këtë ekstradim është krejt “e rregullt”!

Po në llogjikën e ligjit të shtetit, them se Prokuroria e Krimeve të Rënda fillon direkt çështjen dhe fillon arrestimet e të gjithë zinxhirit të atyre që lejuan dhe kryen këtë ekstradim!

Ky është pengim i pastër i drejtësisë! Është reagim i krimit të organizuar mbi drejtësinë!

Nëse nuk mendohet kështu, kush i thotë vetes prokuror e gjykatës, ta lërë më mirë atë detyrë!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al