Transmetuar më 28-01-2018, 18:21

Nga Bujar Nishani

Në Samitin Ekonomik Botëror në Davos pritej me shumë kuriozitet dhe interes fjala e Presidentit Trump. Jo vetëm për faktin se prej shumë kohësh një President Amerikan nuk merrte pjesë në këtë forum global të ekonomisë e financave por edhe më shumë për shkak të lajmeve spekulative dhe një injektimi agresiv propagandistik anti-Trump në SHBA por dhe në Evropë si aleati më i afërt strategjik i SHBA-ve.

“Si President i SHBA unë do të vendos gjithmonë : Amerika e Para, ashtu si çdo lider i çdo vendi duhet të vendos interesin e vendit të tij të parin”- deklaroj në krye të fjalës së tij Donald Trump.

A do kishte ndonjë shqiptar normal që nuk do donte që cilido lider i Shtetit Shqiptar të vinte “Shqipëria mbi gjithshka” ?

“Amerika mbi të gjitha, nuk do të thotë se Amerika do të ecë e vetëme” plotësoj deklaratën e tij Presidenti Trump. Një inkurajim ky veçanërisht për ato rajone përfshirë Ballkanin ku vakumi i sigurisë mbetet risk i madh për destabilitet.

7-të trilion USD, i janë shtuar pasurisë amerikane që nga dita e hyrjes së Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Trilion jo miliard, trilion, e kjo vetëm në një vit !

“Kemi hapur 2,4 milion vënde të reja pune brenda një viti”, informon botën e bisnesit Presidenti Trump.

“Optimizmi ndër bisnezin e vogël është gjatë gjithë kohës i lartë. Besimi i konsumatorëve, besimi i bisneseve dhe besimi i prodhuesve është më i larti i shënuar prej shumë e shumë dekadash”. A ka vlerë më të madhe për një lider se sa të kultivoj besimin ndër shtetasit e vet ?

“Ne shkurtuam në mënyrë masive taksat për bisnesin e mesëm dhe atë të vogël”, tregon Z. Trump. A ka mundësi më të madhe për një individ që dëshiron të punoj se sa lehtësimi nga barra fiskale dhe haraçi që duhet ti jap të tretit ?

“Kompania Apple do kthej në Amerikë një pasuri prej 245 milardë dollarë dhe do investoj brenda 5 viteve 350 miliardë dollarë”, deklaroj Presidenti Trump. Bëhet fjalë për qindra miliardë jo qindra milionë.

Nuk ka dyshim se rritja e fuqisë ekonomike e vendit më të madh demokratik të botës do rrjedhë likuidin financiar në të gjithë hapsirën e tregut të lirë por dhe të rregulluar me lehtësitë përkatëse.

“Ne jemi duke bërë investime historike në ushtrinë tonë, nuk mund të ketë prosperitet ekonomik pa siguri”, deklaroj Presidenti Trump. Pas një goditje fatale që mori ISIS gjatë vitit të fundit, ky angazhim amerikan garanton një përgjigje të fortë ndaj të gjitha rreziqeve që nuk kërcënojnë vetëm Amerikën por çdo popull të lirë.

“Kur njerëzit lihen në harresë, bota është e dërrmuar”, thotë Presidenti Trump. “Për këtë nuk mjafton investimi vetëm në ekonomi por edhe tek njerëzit”. Vizion jo vetëm njerëzor por dhe realitet që preket përtej hipokrizisë të retorikës pa zgjidhje të së majtës.

“Ne jemi të gjithë të fortë kur vendet e lira dhe sovrane bashkëpunojnë drejt qëllimeve të përbashkëta, bashkëpunojnë drejt ëndërrave të përbashkëta”, konkludon Presidenti Trump. Duket që kjo është përgjigjja më elokuente ndaj të gjitha spekulimeve dhe sulmeve politike që janë ngritur si stuhi në gotë për “izolacionizmin” e Donald Trump.

Koha që presim të rrjedhë duket se do të jetë shumë interesante për shumkënd.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al