Transmetuar më 28-01-2018, 13:57

Nga një lojtar që në fillim të merkatos së janarit u përfol se do të largohej, në titullar dhe golashënues të ekipit më të madh polak. Sulmuesi shqiptar vazhdon të shkëlqejë në miqësoret që skuadra e tij po zhvillon gjatë mini-fazës përgatitore.

Pas dëmtimit të ish-sulmuesit të përfaqësueses kroate, Dinamos së Zagrebit, Arsenalit dhe Shakhtar Donjeckut, Eduardo Da Silva, kuqeziu u kthye në titullarin e skuadrës.

Besimin e dhënë nga stafi teknik, Armando Sadiku e shpërbleu menjëherë me paraqitje të shkëlqyera në lojë dhe tashmë me gol.

Bomberi shqiptar ishte titullar në miqësoren ku Legia e Varshavës fitoi 2-0 përballë danezëve të Silkeborgut. Sadiku ishte rreziku më i madh në zonën kundërshtare dhe në minutën e 32-të realizoi golin e avantazhit për polakët.

Një pjesë loje i mjaftoi kuqeziut që të konfirmojë se është një element mjaft i rëndësishëm te Legia dhe se në gjysmën e dytë të sezonit do të rivalizojë me Eduardon për fanellën e titullarit.