Transmetuar më 25-01-2018, 23:06

Nga Jorida Tabaku

Jo rrallë herë është përsëritur përgjigjja që shenjtorja Tereza i dha gazetares shqiptare në vitin e largët 1989, ku eufemizmit me nota të theksuara të një krenarie komuniste mbi fenë e shqiptarit të qenurit shqiptaria ajo iu përgjigj urtë e butë e me shumë kuptim duke i thënë se “Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri tjetrin.”

Përgjatë 27 viteve duket se kjo shprehje ndonëse e lëshuar në tokën e shqiptarëve, në vendin e izoluar nga ngrica dhe dhuna totalitare, është mënjanuar nga të gjithë ne së bashku. Aq më e fortë kumbon kjo shprehje sot, ku shqiptarët po largohen grupe-grupe larg një vendi i cili nuk i ofron sigurinë por armiqësinë.

Është për të ardhur keq, që në ditët e sotme ato pak mësime të vyera që mund të vendosim në jetë janë kthyer në epitafet e fjalimeve parlamentare por jo shprehje e përpjekjeve tona për të ndërtuar një vend më të mirë.

Është për të ardhur akoma edhe më keq, kur një parlament dhe mbi të gjitha një qeveri harron të djeshmen e një shoqërie dhe me një cinizëm prej pushtuesi tenton të aplikojë këtë harresë edhe tek shqiptarët. Për pesëdhjetë vjet me rradhë, rrëgjimi komunist jo vetëm nuk lejoi Nënë Terezën të vizitonte vendlindjen, por burgosi, pushkatoi dhe internoi sa e sa klerikë të besimeve fetare.

A e duam më shumë atdheun tonë nëse lëmë në harresë ata shqiptarë dhe shqiptare të cilat janë endur burgjeve duke ua hequr dëmshpërblimin që u takon? A e duam më shumë Nënë Terezën nëse vendet në të cilat janë internuar dhe në të cilat regjimi djallëzor i të djeshmes ngrihej për të përçudnuar shqiptarët i japim me koncesion? A e duam më shumë një vend nëse banorët e tij, i mbysim në taksa, borxhe dhe i paketojmë për t’i çuar në Evropë?

Kjo, nuk është Shqipëria për të cilën luftuam ne dhe prindërit tanë. Nuk është me shumë mundësi edhe Shqipëria për të cilën kanë dëshiruar edhe ata klerikë të vrarë nga regjimi djeshëm.

Katër vite me radhë nga kjo foltore e parlamentit, opozitarët nuk kanë rreshtur së treguari me gisht të gjitha paudhësitë e një qeverie të veshur me krimin. Që nga të inkriminuarit, tek abuzimi me pronat, tek ligjet moniste që vinin për t’u dhënë rrugë të lirë një rrethi të vogël oligarkësh e deri tek hipokrizia e kryeministrit. Që më një anë varte fotot e martirëve të krishtërimit dhe nga ana tjetër nderonte xhelatët e tyre.

Për asnjë çast, nuk kemi parë reflektimin e qeverisë madje akoma më keq. Kemi ndjerë përherë e më shumë një këmbëngulje frikësuese në padrejtësi dhe një farë krenarie djallëzore për aftësinë e të bërit padrejtësi. Moto e kryeministrit dhe sejmenëve të tij ka qenë përherë “Të bëjmë një padrejtësi edhe më të madhe se kështu do harrojnë këtë padrejtësi që sapo bëmë”

Dhe kështu nisën duke shpikur ndarjen në fasha të ish të përndjekurve politikë që merrnin dëmshpërblim. Sapo ndjenë shqetësimin e protestës së tyre dhe opozitës zbatuan padrejtësinë e radhës duke ulur fondin për ish të përndjekurit politikë me 1.2 mld lekë që në vitin e parë të qeverisjes. E për të shpërndarë tek të përndjekurit 2.2 mld lekë më pak se sa katër vitet e para. Aq djallëzore është kjo qeveri sa që nisi të përkulej edhe para figurës së diktatorit, të hidhte krahëve shallin e pionerit dhe të nderonte edhe me grushtin e diktatorit, si e si për të dëshmuar se pushteti qe kthyer tek kllasa e dikurshme.

E kur e gjithë kjo përbuzje, fyerje edhe shtypje vjen kaq natyrshëm qeveria vendos që edhe atë pak kompensim për të cilin ne të gjithë si shoqëri u detyrohemi kësaj shtrese ta heqë. Për qeverinë është e panatyrshme që fëmijët e të përndjekurve të marrin dëmshpërblim sepse për to është po aq e panatyrshme që fëmijët e të përndjekurve të kenë një shkollim. Njësoj si në koloninë ndëshkimore të Kafkës, të përndjekurit duhet të jenë yzmeqarët dhe me raste objektet e fotove të tyre.

Kjo sjellje, të nderuar deputetë, nuk vjen sepse qeveria apo mazhoranca është përpjekur ndonjëherë sinqerisht për të kuptuar padrejtësitë e të djeshmes. Përkundrazi! Kjo mazhorancë dhe qeveri jeton dhe merr frymë prej padrejtësive të së djeshmes. Nuk është rastësi që në krye të KLGJ u zgjodh një ish funksionar i sigurimit, nuk është aspak rastësi që sot në krye të parlamentit kemi një ish ministër të diktaturës.

Jo dhe jo! Nuk ka habi në këtë mes! Kjo qeveri ka një mision, ndër të tjera, të nderojë atë grup hajdutësh që dikur vidhte dhe torturonte shqiptarët. Natyrisht, kohët kanë ndryshuar, sot nuk është më e kollajtë të mbyllësh kufijtë me vendim qeverie. Por, ka një rrugë tjetër. T’i mbyllësh kufijtë duke mos u integruar në BE!

Njëzet e shtatë vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit Hoxha dhe të përndjekurit enden rrugëve në mëshirë të një dëmshpërblimi që mund t’i hiqet. Thuajse dy dekada pas largimit nga prangat e të keqes më të madhe që ka pasur ky vend dhe pronarët e tokës përballen me një qeveri që ua merr tokën për t’ia dhënë oligarkut apo edhe ministrit.

Sot, kemi po të njëjtën situatë të ndjerë si në shkurtin e vitit 1991. Hera herës kjo e sotmja ngjan më e kobshme dhe cinike se sa e djeshmja, kemi lirinë e medias në dukje por në fakt ajo është e komanduar. Kemi lirinë e protestës por mbi të kemi lirshmërinë e kryeministrit që të tallet me naftëtarët që protestuan. Kemi një liri të komanduar nga një qeveri që do të na tregojë ku dhe si të jetojmë.

Prandaj sot, nga kjo foltore dhe në këtë ditë në të cilën ne do të votojmë për të përkujtuar shenjtërimin e Nënë Terezës me një festë zyrtare u drejtohem atyre që vuajtjet edhe kujtimet e të djeshmes nuk i kanë harruar. Që përpjekjet për një vend të mirë edhe më të begatë për secilin prej nesh nuk i kanë harruar. Të mblidhen së bashku me një opozitë, që me shumë mundësi nuk është e përkryera, por që sigurisht është treguar e guximshme për të pranuar edhe gabimet por edhe për të drejtuar gishtin ndaj atyre që ju kanë fyer dhe poshtëruar.

Sikundër shën Tereza shprehej: “Ne mund të bëjmë gjëra që ju nuk i bëni dot, ju mund të bëni gjëra që ne nuk i bëjmë dot; së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha!”

I ftoj shqiptarët në shesh, për të dashur më shumë këtë vend duke dashur dhe respektuar më shumë njëri tjetrin, duke luftuar kundër të keqes që sot qeveris padrejtësisht këtë vend.