Transmetuar më 19-01-2018, 17:31

Pedagoget e Departamentit të Pedagogjisë në Fakultetin e Edukimit, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, Fjoralba Satka dhe Eduina Lushka, së bashku me studentët e programit master në "Arsim Fillor", çelën në ambientet e bibliotekës së Kampusit të Ri të UAMD-së, ekspozitën "Në gjurmët e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut".

Ekspozita ishte konceptuar në dy anët e një prej ambienteve të Bibliotekës universitare, ku në njërën anë qëndronte një instalacion, i cili ishte konceptuar nga një tel i zakonshëm ku gratë ndejnë rrobat çdo ditë, si dhe veshje “të varura jo rastësisht në telin e ‘galerisë’”.

Në secilën prej veshjeve ishin stampuar shprehjet që Heroi ynë ka përdorur për të udhëhequr betejat apo si mjet komunikimi. E duke ngritur një paralelizëm me studentët - mësuesit e ardhshëm të fëmijëve tanë - të udhëhequr nga fryma e punës, e respektit dhe dashurisë, ata të çojnë përpara vlerat e veta individuale, e të gjithë së bashku të udhëheqim një shoqëri më të mirë e të denjë. 

Pjesa tjetër e ekspozitës, prezantonte imazhe të stampuara të vendndodhjeve të ndryshme ku Gjergj Kastriot Skënderbeu ka lënë gjurmë. Në vendin e lindjes, në betejat e fituara, në kurorëzimin e martesës, në varrin e tij e kështu me radhë. Secila nga imazhet ilustrohej nga grupet studentësh, të cilët nuk ngurronin të shprehin kënaqësinë që fituan nga kjo përvojë.

Mesazhi i ekspozitës ishte përcjellja e “gjurmëve” të Skënderbeut nga e shkuara drejt së ardhmes. Dhe në fakt, ky është dedikim për mësuesin dhe edukatorin e ardhshëm, i cili realizon përcjelljen e gjurmëve dhe komunikimit ndër breza. Dhe kjo ekspozitë ishte një ftesë për të kuptuar këtë dedikim.

“Ndryshe nga ekspozitat e mëparshme, këtë herë kemi menduar diçka më konceptuale, më interaktive dhe sigurisht më të bukur”, - thotë pedagogia Satka.

“Muret e sallës së bibliotekës u shndërruan përkohësisht në një instalacion arti, i cili pritet të marrë jetë, i konceptuar nga një tel i zakonshëm, në të cilin gratë ndejnë rrobat çdo ditë, dhe veshje të varura jo rastësisht në telin e “galerisë sonë” thotë pedagogia tjetër, Lushka.

“Ky projekt mori spunto, nga profesoresha e artit, Fjoralba, e cila propozoi këtë risi, që mes dyshimeve, ankthit dhe etheve të krijimit prodhoi dhe ekspozoi këtë ‘produkt” – thotë Flavia, një nga studentet.  

Image may contain: 2 people, people smiling, people standing

Çdo gjë prezantohet e thjeshtë për t’u kuptuar, me studentin ‘të vendosur’ në qendër të ekspozitës. Dhe në fakt, ajo i është dedikuar atyre, mësuesve dhe edukatorëve të ardhshëm, të cilët realizojnë mobilitetin e gjurmëve dhe komunikimit në breza. Dhe kjo ekspozitë është një ftesë për të kuptuar këtë dedikim. 

Image may contain: 6 people, people standing and indoor