Transmetuar më 16-01-2018, 14:26

16 banka tregtare ofrojnë shërbimet e tyre në Shqipëri. Sistemi bankar financon aktualisht rreth 80% të ekonomisë shqiptare, duke qenë edhe segmenti kryesor i tregut financiar vendas. Por pavarësisht numrit të lartë të bankave, një pjesë e të cilave mbajnë emra të njohur të bankingut botëror dhe numrit të shërbimeve që në vite është shtuar, depërtimi i tyre tek shqiptarët është relativisht i ulët.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm 38% e popullsisë disponon llogari bankare nga 62% që është mesatarja europiane. Vetëm 35% e popullatës zotëron karta bankare, edhe pse prej 11 vitesh është tashmë në fuqi ligji që detyron të gjitha institucionet publike dhe private (bizneset) që pagat e punonjësve t’i kalojnë nëpërmjet sistemit bankar.

Ekspertët vlerësojnë se ky nivel i ulët i përfshirjes financiare dhe përdorimit të ulët të shërbimeve bankare nga qytetarët është rrjedhojë e ndikimit të disa fatorëve, si ekzistenca relativisht e shkurtër e sistemit bankar në vendin tonë; mungesa e kulturës financiare tek qytetarët; niveli i lartë i informalitetit dhe gjendja e ekonomisë në tërësi, por edhe komisionet e larta që ofrohen nga bankat për shërbimet e tyre.

“Përfshirja financiare në Shqipëri është e ulët, pasi në fillim të viteve ‘90 bankingu u nis nga një nivel thuajse joekzistent, ku nuk ekzistonte parimi i bankingut tregtar, por përdorimi i bankës për kreditim apo depozitim. Maksimumi ekzistonte vetëm koncepti i Arkës së Kursimeve, që ishte thuajse asgjë përsa i përket trashëgimisë dhe eksperiencës praktike në përdorimin e shërbimeve bankare. Gjithashtu, niveli i kulturës dhe edukimit financiar në Shqipëri ka qenë dhe vijon të jetë ende në nivele të ulta dhe larg asaj europiane, e kjo kryesisht për shkak, jo vetëm të mungesës së një trashëgimie në këtë drejtim, por edhe të mungesës thelbësore dhe për një kohë të gjatë të pranisë së institucioneve bankare dhe atyre financiare në ekonomi dhe në jetën e përditshme”, argumenton për Citizens Channel Elvin Meka, ekspert për çështjet bankare.

Sipas tij Shqipëria vetëm gjatë 20 viteve të fundit ka një krijim dhe zhvillim domethënës të bankave dhe produkteve e shërbimeve bankare, të krahasueshme me ato në Europë dhe rajon, ndërkohë që kjo gjykohet si nje kohë mjaft e shkurtër për të kapur mesataren europiane për çështje të tilla.

“Shkalla e lartë e informalitetit vijon të përbëjë një nga faktorët kryesorë në shkallën e ulët të përfshirjes financiare, nisur dhe nga fakti që shumica e bizneseve dhe sipërmarrjes është si person fizik apo si të vetpunësuar dhe biznesi vogël, i cili përgjithësisht ka qëndruar larg bankës dhe kanaleve zyrtare financiare. Me reduktimin e informalitetit në ekonomi do të rritet në mënyrë të pashmangshme edhe shkalla e përfshirjes financiare të publikut në Shqipëri”, vazhdon më tej Meka.

Ndërsa Selami Xhepa, ekspert i njohur për ekonominë dhe bankat, ndërsa thekson se lidhja e qytetarëve me bankat sjell shumë përfitime për ta, rendit arsyet e këtij raporti ende të dobët.

“Është fakt i njohur se Shqipëria krahasuar me mesataren e vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, vazhdon të ketë një tregues të ulët të përfshirjes financiare, të matur me numrin e atyre që kanë llogari financiare, që përfitojnë kredi bankare apo shërbime të tjera financiare. Kjo mendoj se lidhet para së gjithash me gjendjen ekonomike të vendit. Një nivel i ulët zhvillimi ekonomik nënkupton një ekonomi natyrore për një pjesë të madhe të popullsisë, sidomos asaj rurale, ku roli i parasë në transksione mbetet, jo gjerësisht i përhapur dhe nevoja për shërbime financiare është e ulët sa kohë që sistemi bankar nuk e konsideron me interes këtë sektor. Së dyti, nivelet e larta të komisioneve dhe tarifave për shërbime bankare, shpesh bën që qyterarët të mos preferojnë përdorimin e instrumenteve financiare (për shembull, kartave të kredisë), por të perdorimit të cash-it”, shprehet Xhepa për Citizens Channel.

Bankat mungojnë në fshat

Pavarësisht numrit të lartë të bankave tregtare në vendin tonë dhe degëve që ato kanë hapur, për vitin 2017 në 475 në të gjithë vendin, prania e sistemit bankar mungon në zonat rurale. Për ekspertët, kjo është një ndër arsyet pse shumë qytetarë nuk kanë akses në shërbimet bankare dhe rrjedhimisht, nuk i përdorin ato.

“Një tjetër aspekt i përfshirjes së ulët është mungesa e rrjetit bankar në zonat rurale të vendit, të cilat nuk kanë asnjë zyrë apo degë bankare. Këtu nuk duhet harruar fakti se rreth 48% e popullatës jeton në fshat dhe kjo popullatë nuk ka asnjë akses në këto shërbime dhe produkte pranë rezidencës së tyre, duke ulur në mënyrë domethënëse mbulimin me shërbim dhe produkt bankar”, shprehet Elvin Meka, ekspert për sistemin bankar.

“Gjysma e popullsisë që jeton në fshat nuk ka akses ndaj shërbimeve bankare, pasi bankat nuk jane të vendosura në këto zona”, thotë edhe Selami Xhepa.

Por mosçelja e degëve bankare në zonat rurale nuk është edhe shumë për faj të bankave. Hapja dhe mbajtja në funksion e tyre dhe stafit që duhet të punojë në to ka kosto financiare të lartë, që nuk justifikohet nga niveli i ulët i popullsisë dhe rrjedhimisht, edhe transaksioneve në këto zona.

Masat që po marrin bankat

Konkurrenca në tregun bankar, me një numër të lartë bankash e ka bërë të domosdoshme marrjen e masave prej tyre për të qenë atraktive për qytetarët. Kjo duket në shtimin e shërbimeve, duke shfrytëzuar edhe teknologjinë, siç janë për shembull Raiffeisen ON, BKT Smart, SG Albania Online Banking, etj., shërbime që mundësojnë kontrollin e llogarisë bankare dhe transferimin e parave nëpërmjet telefonit.

“Bankat kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme masa për të siguruar në një shkallë më të lartë përfshirje financiare të publikut, pasi kjo nënkuton me shumë klientelë për to dhe fitim më i lartë. Në kohët e sotme, mundësitë janë më të mëdha për të rritur këtë përfshirje, pasi teknologjia e mundëson një gjë të tillë, me një kosto më të ulët. Bankat kanë investuar dhe po investojë fuqishëm në teknologji për t’iu përgjigjur kërkesave gjithnjë e në rritje të publikut, por edhe për të mbajtur ritmin e zhvillimit të saj me atë çka ndodh sot në botë”, shpjegon Meka.

Eksperti Selami Xhepa rekomandon uljen e komisioneve bankare si një ndër elementët për të afruar më shumë bankat me qytetarët. “Reduktimi i fortë i komisioneve për shërbimet financiare do të ishte një influencues i rëndësishëm. Një statistikë e botuar së fundmi, tregonte se komisionet për transfertat e emigrantëve ishin më të larta në Shqipëri (9.4%) krahasuar me rajonin (7.2%). Nga ana tjetër, aksesi në kredi është bërë edhe më i vështirë për mikrobizneset dhe bankat preferojnë më shumë të operojnë kryesisht me një rreth klientësh të mëdhenj, të cilët është më e kollajtë të ndiqen dhe kostot e shërbimeve mbahen nën kontroll. Një nismë mund të ishte për shembull, ofrimi falas dhe pa asnjë tarifë i një karte bankare debiti për të gjithë pensionistët, të cilët do të tërhiqnin pensionet nga bankat. Nisma që mori qeveria në vitin 2006, që detyroi të gjithë bizneset që pagat të paguheshin nëpëmjet llogarive bankare, për shembull, ndikoi në një rritje të forte të treguesit të përfshirjes financiare. Edhe kjo nismë do të ndikonte në një rritje të menjëhershme të këtij treguesi”, shprehet Xhepa për Citizens Channel.

Lufta kundër ekonomisë informale, por edhe stabilizimi i tregjeve në Shqipërisë do të çojë herët apo vonë drejt përdorimit më të paktë të cash-it në ekonomi dhe zgjedhjes së kanaleve zyrtare si rrugë për kryerjen e transaksioneve. Një kontroll i parasë në qarkullim, që një ndër përfitimet e shumta do të ketë edhe afrimin më të madh të bankave me qytetarët. /Aurora Sulçe/