Transmetuar më 14-01-2018, 11:02

Ditën e djeshme Shkodra u trondit nga një shpërthim i fuqishëm tritoli, që kishte si objektiv biznesmenin Lulzim Kulla, duke e lënë këtë të fundit të plagosur rëndë. Kulla në të vërtetë nuk është një emër i panjohur për policinë e Shkodrës, pasi njihet si një prej të "fortëve të qytetit, ndërsa rezulton person me precedentë penale.

Po kush është Llzim Kulla?

Lul Kulla njihet si “i forti” i Shkodrës i cili nënshtroi tregtarët e këtij qyteti, duke iu marrë edhe bizneset, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë edhe në torturimin për vdekje të një personi në këtë qytet, por për ngjarjen nuk është dënuar askush.

Në qershor të vitit të kaluar, Lul Kulla është arrestuar nga policia për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit, në Shkodër. Ai është mbajtur në burg dhe është liruar pas gjashtë muajsh.

Lulzim Kulla pas vitit 1997 u kthye në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në lagjen "Rus" të qytetit verior duke u vendosur "tarifë" të përmuajshme për garantimin e objekteve tregtare.

Ai, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, do vinte nën diktat bizneset e Shkodrës, duke bërë që një pjesë e tyre të largoheshin nga qyteti. Thuhet se bizneset detyrohen që të paguajnë 50 mijë lekë të vjetra në muaj grupit të të fortëve. Për shumë vite ai mbajti nën kontroll lagjen e famshme të Shkodrës, duke kontrolluar aktivitetin tregtar.

Në objektin ku iu vendos tritoli, Lul Kulla ka në pronësi një lokal si dhe disa ambiente të dhëna me qira. Në katin e dytë të ndërtesës ndodhen zyrat e shoqatës së minoritetit serbo-malazez të Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet më të populluara të kryeqendrës së veriut, pranë qendrës së qytetit. Nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara pranë biznesit. Një prej automjeteve të dëmtuara nga shpërthimi është një fuoristrada me targë AA 444 CX, e cila dyshohet se i përket pikërisht Lulzim Kullës.

Krahas Kullës si pasojë e shpërthimit mbetën të lënduar edhe Pjetër Arra, 53 vjeç, Gentian Suça 40 vjeç, Arjola Gjonaj, 31 vjeçe, Ditmir Myftia 32 vjeç, Pjetër Daka 60 vjeç dhe Gardosileviç Roikq, 50 vjeç.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Blutë kanë sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë, pasi kanë qenë të pajisura me kamera sigurie dhe dyshohet të kenë filmuar momentin e vendosjes së lëndës eksplozive në dyqan./b.l/noa.al/