Transmetuar më 13-01-2018, 12:42

Kryeministri Edi Rama thotë së sfida më e madhe e Policisë së Shtetit ka qenë dhe mbetet e njëjta, sfida për tu përballur me të keqen në shoqëri dhe gjithë ata që kërcënojnë bashkëjetesën shoqërore duke shkelur ligjin dhe nga ana tjetër me të keqen brenda vetes, e cila është një kërcënim i vazhdueshëm për policinë.

Duke folur sot nga Lezha, në një aktivitet me rastin e 105-vjetorit të Policisë së Shtetit, ai tha se shkolla e policisë është një akademi e rilindur, një burim ku në vazhdimësi rigjenerohet gjaku i Policisë së Shtetit, duke promovuar jo vetëm vajza e djem të rinj për të shërbyer në radhët e policisë por edhe për rritjen e kompleksitetit të sfidave të saj.

Rama deklaroi se vettingu në Policinë e Shtetit do të nisë së shpejti dhe se është po aq i rëndësishëm sa procesi që ka nisur në institucionet e drejtësisë, duke thënë se krimi nuk mund të luftohet me drejtorë apo shefa komisariatesh të korruptuar.

“Vettingu do të bëjë largimin e gjithë drejtuesve të përfshirë në veprimtari kriminale apo me pasuri të pajustifikuar. Kjo do të jetë baza e mandatit tonë të dytë dhe ne do u themi shqiptarëve se kjo është Policia e Republikës së Shqipërisë, një polici e standardeve të BE”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ai shoi më tej se operacioni “Forca e ligjit” ka në thelb shfarosjen e gjithë veprimtarive kriminale në Republikën e Shqipërisë. Kryeministri e cilësoi si një operacion ndërkombnëtar ku janë të përfshirë të gjithë partnerët e Shqipërisë, duke e cilësuar si një betejë e të gjithëve me të gjithë llojet e keqbërësve edhe në nivel ndërkombëtar.

Nga ana e tjetër, siç tha ai lufta me krimin e organizuar nuk është fillimi dhe fundi i Policisë së Shtetit, por nënvizoi se vendi ka nevojë për Policinë e Shtetit për të qenë të barabartë para ligjit, për të shfrytëzuar hapësirat e bashkëjetesës pa qenë të cenuar.

Rama tha se gjuha e rezultateve tregon se në vitin 2017 Shqipëria doli nga harta e vendeve që kultivojnë lëndë narkotike, duke nënvizuar se tashmë në 2018 Shqipëria nuk ka më as Lazarat dhe as “Lazaratër” të shpërndarë në trupin e territorit të saj.

Ai deklaroi se në vitin 2017, Policia e Shtetit garantoi numrin më të ulët të vrasjeve, në historinë e statistikave pas vitit ’90, ku ndodhën 50 vrasje, duke e cilësuar si minimumin historik të 27 viteve.

“Brenda katër viteve Policia e Shtetit u shndërrua sipas statistikave të Bashkimit Europian, nga institucioni më pak i besuar në vend, së bashku me gjykatën dhe prokurorinë, në institucionin më të besueshëm në vend”, u shpreh Rama.

Por ai nënvizoi se situatat e vështira të identifikuara dhe kritikat e bëra ndaj policisë janë pa bazë, apo se drejtues të Policisë së Shtetit nuk janë përfshirë në veprimtari kriminale dhe se spastrimi i policisë është një proces i përfunduar.

Në këtë linjë Rama tha se të gjitha këto tregojnë se edhe spastrimi i domosdoshëm jetik, për ta kthyer Policinë e Shtetit sa mesatarja e vendeve të Bashkkimit Europian, mund dhe do të realizohet me sukses të plotë. /a.y/noa.al