Transmetuar më 12-01-2018, 20:19

Të kujdesësh për partnerin në të mirë dhe në të keq është premtimi që të gjithë bëjnë ditën e martesës, por jo të gjithë e mbajnë. Ama ky nuk është rasti i këtij burri, gruaja e së cilit i është shumë mirënjohëse për përkujdesjen që tregon ndaj saj dhe fëmijëve të tyre. Kjo është historia frymëzuese e rrëfyer. 

“Unë kam burrin më të mirë në botë. Jam gruaja më me fat që e kam dhe dashtë perëndia të kemi gjithmonë shëndet sepse pa të nuk kam jetë. 

Jam një zonjë kuksiane dhe jam e martuar prej 20 vitesh. Kemi dy fëmijë si yje dhe jemi familje e lumtur. 

Burri im është modeli i mashkullit që duhet ndjekur. Sepse lexoj këtu tek ju vetëm femra që ankohen për të dashurit dhe burrat e tyre, por ka edhe meshkuj shqiptarë që janë shumë të dashur dhe të përkushtuar në familjet e tyre. 

I tillë është im shoq. Ai jo vetëm punon si qeni për t’na mbajtur në pëllembë të dorës, me trajton me respekt dhe me edukatë, por edhe pse është nga veriu ai më ndihmon shumë edhe në gjërat e shtëpisë. 

Madje çdo natë para gjumit ai më bën masazh në këmbë e shpinë, aq relaksues sa harroj gjitha punët e shtëpisë dhe streset e fëmijëve. 

Por edhe unë nuk ja prish për asgjë dhe kemi gjetur të mesmen e artë perfekte. Mendoj se komunikimi dhe toleranca janë çelesat e një martese të lumtur. 

Mos u ndani vajza, jo me pengesën e parë. Familje krijo kushdo, por duhet punë dhe përkushtim për ta mbajtur. 

Rroftë familja”, shkruan ajo.