Transmetuar më 12-01-2018, 18:19

Ky viti që sapo ka nisur ashtu siç është deklaruar edhe nga kryeministri Edi Rama, do të jetë viti i Skënderbeut. E në këtë kuadër kreu i qeverisë shqiptare është ndalur në një aktivitet tek memoriali i Skënderbeut në Lezhë, kushtuar kësaj nisme.

Rama theksoi se ky memorial është larg atij që do të donin të gjithë të ishte, ndërsa premtoi se gjërat do të ndryshojnë me projektin e rehabilitimit.

"Nuk është temperatura optimale për të përballuar një fjalim timin, por dua të nënvizoj se në kuadër të vitit të Skënderbeut, se në çelje të këtij qëndrimi dyditor në qarkun e Lezhës, është vendosur një program i plotë restaurimi i memorialit të heroit tonë kombëtar. 

Ai është larg të qenit në gjendje optimale. Gjendja e sotme e memorialit lë për të dëshiruar, por kjo zonë është jashtëzakonisht më mirë se disa vite më parë. Këtu memoriali kishte nevojë për ndërhyrjen, por edhe përreth ishte në një situatë skandaloze", tha Rama.

Më tej kreu i qeverisë shtoi se “Natyrisht që kryetari i bashkisë ka gjithë të drejtën që të jetë gjithmonë i pa kënaqur pasi numri i problemeve është gjithmonë më i madh se sa mundësitë për të përballur me financime zgjidhjen e tërësisë së probleme, por do të siguroj kryetarin e bashkisë se do të jemi pranë Lezhës dhe do të bëjmë maksimumin që në harkun e këtij mandati të bëjmë gjithçka që është e mundur të bëhet. Besoj që hap pas hapi pas hapi, nga fjalët e mira do të kalojmë tek zbatimi i projekteve”.

Kujtojmë se kryeministri Rama ndodhet në një vizitë dy ditore në Lezhë pasi aty po mbahet mbledhja e parë e qeverisë për vitin 2018. /b.l/noa.al/