Transmetuar më 12-01-2018, 17:47

Me largimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm Haki Çako, Policia e Shtetit ka hapur konkursin për të zgjedhur drejtorin e ri. Hapja e procesit për drejtuesin e ri është urdhëruar nga drejtori i komanduar në krye të këtij institucioni, Rebani Jaupaj.

Mësohet se aktualisht ka 5 vende të lira për gradën "Drejtues i parë i policisë".

Aplikuesit për detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duhet të dorëzojnë dokumentet deri më datë 16 janar dhe më pas do të vendoset edhe data për mbajtjen e konkursit.

Akademia e Sigurisë të zhvillojë procesin e konkurrimit që do të thotë se gradat do të jepen në një afat kohor brenda 2 javësh.

Ndërkohë disa nga emrat më të përfolur si pasues të drejtorit të liruar Haki Çako, janë Ardi Veliu, Drejtori i Policisë së Tiranës, Agron Sojati, ish-drejtor i antiterrorit, aktualisht këshilltar për sigurinë në Kryeministri dhe Gjovalin Loka, Drejtor i Policisë së Shkodrës.