Transmetuar më 12-01-2018, 16:30

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Itali, ku një shqiptare ka humbur jetën.

Ngjarja ndodhi në rrugën 217, pranë degës së shkollës së mesme "Fermi" rreth orës 6.45 të ditës së sotme në San Lazzaro, komuna e Bolonjës, pasi është goditur nga një automjet.

Mediat lokale italiane bëjnë me dije se gruaja është me origjinë shqiptare dhe jetonte në San Lazzaro di Savena.

Mësohet se automjeti që shkaktoi aksidentin e rëndë e drejtonte një grua nga Bolonja, e cila ndaloi menjëherë dhe telefonoi urgjencën.

Por pavarësisht ndihmës mjekësore nga bluzat e bardha, 50 vjeçarja me profesion infermiere ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ngjarja shkaktoi bllokimin e rrugës për disa minuta dhe u desh ndërhyrja e policisë bashkiake për të çliruar trafikun.

Një banor vendas vuri në dukje rrezikshmërinë e rrugës Toscana, ku ndodhi goditja fatale. Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes po heton për të sqaruar rrethanat e sakta të aksidentit. /b.l/noa.al/