Transmetuar më 12-01-2018, 10:27

Kompania kombëtare greke, Korporata Publike e Energjisë (KPE) në suazë të kornizës së planifikimit strategjik, aspekt i së cilës është edhe zhvillimi i mëtutjeshëm i Kompanisë në Ballkan, njofton se është në fazë të avancuar për blerjen e Grupit EDS, kompani udhëheqëse në sektorin e tregtisë dhe sektorin e furnizimit me energji elektrike në Maqedoni.

EDS, e formuar në vitin 2012, zotëron filiale në Serbi, Sllovaki dhe Kosovë. Grupi EDS është anëtar i Shkëmbimit Hungarez të Energjisë (HUPX) dhe ka licenca të tregtimit të energjisë elektrike në Serbi, Kosovë, Kroaci, Bullgari dhe Hungari. Grupi EDS aktualisht siguron energji elektrike për industri të mëdha dhe biznese me një portofol klient prej 320MW ose 40% të korporatave me më shumë se 50 punonjës dhe ajo është në pronësi të zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

EDS po ashtu është aktive edhe në tregun energjetik serb, ku momentalisht ka portofol prej 10MW në fund të vitit të saj të parë të funksionimit.

Iniciativa e lartpërmendur e biznesit është hap shumë i rëndësishëm në kuadër të kornizës së aktiviteteve që mundësojnë zhvillimin e Korporatës Publike të Energjisë në tregun elektrik rajonal të Ballkanit, si dhe në drejtim të integrimit vijues të kompanisë në marketet energjetike europiane.

KPE është një prej kompanive më të mëdha elektrike në Europën Juglindore me asete të përgjithshme prej më shumë se 15 miliardë euro dhe të ardhura vjetore më shumë se 5 miliardë euro. Aktiviteti kryesor i KPE-së është prodhimi, shpërndarja dhe furnizimi i energjisë elektrike në Greqi për 7.3 milionë konsumatorë me një pjesëmarrje në treg prej rreth 85%. KPE gjithashtu zotëron HEDNO – Operatorin e Rrjetit të Shpërndarjes në Greqi dhe PPC Renewables është një nga kompanitë pioniere në Europë për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.