Transmetuar më 11-01-2018, 20:34

Luftënxitëse i cilësoi deklaratat e Ambasadorit të Serbisë në Tiranë, diplomati përfaqësues i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.

Në në një intervistë për Ora News, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të zyrtarit serb, diplomati tha se Kosova është një shtet i pavarur dhe Serbia duhet të shohë në sy këtë realitet. Serbia shtoi ai duhet ta gjej lumturinë brenda kufijve të saj e jo përmes ambicieve territoriale ndaj fqinjve.

“ Kosova është Kosovë dhe është e qytetarëve të saj. Kosova është e pavarur dhe për këtë pavarësi Kosova ka paguar një çmim shumë të lartë.

Deklarata të tilla janë luftënxitëse dhe më kujtojnë kohën e Milloveshicit, domethënë janë rikthim të një retorike të vjetër luftënxitëse.

Serbia është shtet i vogël rajonal, si janë shumë shtete në Evropën Juglindore, dhe unë mendoj se lumuturinë e saj Serbia duhet ta gjejë brenda kufijve të saj”, tha ambasadori.

Ai theksoi se deklaratat e Serbisë pengojnë diologun mes dy vendeve dhe aspiratat e tyre europiane

“ Nuk janë deklarata që i shërbejnë stabilitetit rajonal, që i shërbejnë fqinjësisë. Unë mendoj se deklarata të tilla janë kundër proceseve integruese rajonale, kundër proceseve të Berlinit dhe shumë proceseve të tjera ku ne jemi anëtarë të barabartë dhe shtet serioz”.

Diplomati i Kosovës, kërkoi një reagim edhe më të fortë të ndërkombëtarëve ndaj këtyre qëndrimeve të Serbisë.