Transmetuar më 11-01-2018, 18:25

Hap emancipues shtetëror. Kështu e ka quajtur Monika Kryemadhi vendimin e qeverisë maqedonase për të miratuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

Në një reagim në rrjetet sociale, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim përshëndet vendimin, dhe përmed disa arritje të tjera ndër vite.

“Pas vendimit për shpalljen festë zyrtare të ditës së Alfabetit, ditës së Kongresit të Manastirit, miratimi i ligjit të dygjuhësisë në Maqedoni është një hap tjetër emancipues shtetëror”, shkruan Kryemadhi.

Ajo shkon edhe më tej kur thotë se një gjë e tillë do të thotë çlirim nga frika prej gjuhës së tjetrit.

“Heqja dorë nga tabutë, duke përfshirë heqjen dorë nga emri historik, siç deklarohet; dhe çlirimi nga frika prej gjuhës së tjetrit, përbëjnë dukuri evropianizuese të Maqedonisë fqinje, të cilën Shqipëria e njohu e para si shtet të pavarur. Të heqësh dorë nga monolinguizmi do të thotë të pranosh barazinë”, përfudnon reagimi i Kryemadhit. /k.k/noa.al/