Transmetuar më 11-01-2018, 17:10

Ministri për Punët e Jashtme dhe Europën, Ditmir Bushati e ka konsideruar si një hap përpara miratimin e ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Bushati thotë se ky vendim është një arritje e rëndësishme për shqiptarët.

"Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë", shkruan Bushati.

Më tej ai vijon duke thënë se ky ligj garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane.

“Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik. Në të njëjtën kohë, ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurtë euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur”, shprehet Bushati. /b.l/noa.al/