Transmetuar më 11-01-2018, 15:27

Pas miratimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nga parlamenti i Maqedonisë ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Basha e ka quajtur këtë vendim një hap të rëndësishëm në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë.

“Miratimi i sotëm i ligjit të gjuhës shqipe nga parlamenti i Maqedonisë është një hap i rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë. Përshëndes këtë hap si një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni”, shkruan Basha.

Më tej kreu i demokratëve ka vlerësuar qëndrimin e forcave politike Maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, duke u shprehur i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike ne Maqedoni.

“Partia Demokratike nxit këtë klimë uniteti mes faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimi me atë politik maqedonas si një garanci për një Maqedoni të orientuar drejt standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe evropiane”, përfundon Basha. /b.l/noa.al/