Transmetuar më 11-01-2018, 13:08

Taulant Balla pas përfundimit të mbledhjkes së Konferencës së Kryetarëve ka folur para gazetarëve ku i bëri thirrje PD dhe LSI të mos braktisin parlamentin. Sakaq Balla thotë se opozita mund të bojkotojë punimet e parlamentit edhe kjo sipas tij, do ti prishë punë Shqipërisë, jo PS-së.

“I bëj thirrje Lulzim Bashës dhe opozitës që iu bashkangjit pas zgjedhjeve se sesioni parlamentar nis më datë 15 janar. Kalendari i punimeve u miratua edhe me mungesën e opozitës. Do kemi një vendimmarrje të rëndësishme që i hap rrugë negociatave për anëtarësim në BE në qershor.

Jemi të domosdoshëm të gjithë në parlament për të mos i prishur punë Shqipërisë. Bojkoti i sotëm i mbledhjes së Kryetarëve la të kuptohet se ata do të braktisin edhe seancën plenare. Kjo nuk i bën mirë opozitës dhe i prish punë Shqipërisë, jo PS-së. Ne duhet të jemi bashkë për negociatat me BE. Kjo është hera e parë që dy parti në opozitë bëhen bashkë kundër reformës në drejtësi”, u shpreh Balla.

I pyetur për kërkesën që paraqiti PD për dorëheqjen e Ruçit nga posti i kreut të Kuvendit, Taulant Balla tha “ata erdhën dhanë disa fjalë motorrike ku ishte dhe kjo kerkesë, por asnjëri nga ne nuk ia vuri veshin”.

"Katër deputetë të PD-së mbajtën një fjalim të njëjtë. Më vjen keq por asnjëri prej nesh nuk ia vuri veshin", tha Balla.

Sot në Konferencën e Kryetarëve, morën pjesë vetëm në fillim të mbledhjes 4 deputetë të PD-së, ndërsa mungoi kreu i grupit të LSI, Vasili./b.l/noa.al/