Transmetuar më 11-01-2018, 11:39

Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një gruaje shqiptare në Itali këtë të mërkurë.

Viktima udhëtonte me makinën ‘Bmw’ të drejtuar nga i shoqi, kur befas mjeti u përplas me një kamion në zonën e Pieve San Giacomo, të Cremona.

Viktima është 36-vjeçarja shqiptare Amantia Sula, e cila humbi jetën në vend, për shkak se makina në të cilën ndodhej përfundoi në kanal si pasojë e përplasjes.

E ndjera u aksidentua në kryqëzimin e cilësuar si të mallkuar në Gozzo, për shkak të numrit të madh të aksidenteve që janë shënuar në këtë vend.

Sula ishte e martuar me majorin e karabinierëve të Cremona, Claudio de Leporini, i cili mbeti i plagosur rëndë si pasojë e përplasjes.

36-vjeçarja ishte nënë e një vajze 7-vjeçare, si fryt i martesës me karabinierin italian.

Për të zbuluar më shumë mbi rrethanat e aksidentit fatal, policia po vijon hetimet. /a.y/noa.al