Transmetuar më 11-01-2018, 11:01

Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Kjo kërkesë e partisë më të madhe opozitare vjen pas zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Kërkesa e PD u paraqit ditën e sotme në mbledhjen e konferencës së Kryetarëve nga nënkryetari i Edmond Spaho.

Ai deklaroi se më 18 dhjetor u krye puç kushtetues, i urdhëruar nga Edi Rama, por i zbatuar nga Gramoz Ruçi.

“Kryeprokurori duhej të zgjidhej me 3/5, i propozuar nga KLP dhe me vetting. U emërua me 69 vota, nga PS dhe pa vetting. Opozita do të qëndrojë fort në mbrojtje të Kushtetutës dhe institucioneve demokratike. Dorëheqja e Ruçit është hapi i parë i kthimit të normalitetit në parlament”, deklaroi Spaho.

Ai ta se detyra e Ruçit është krejt ndryshe nga ajo që po bën aktualisht. Sipas tij, kjo shkelje kushtetuese u bë për t’i garantuar mbrojtjen Saimir Tahirit.

Spaho deklaroi se si hap i parë për të kthyer Kuvendin në normalitet duke parë edhe rolin e kryetarit të Kuvendit në seancën e 18 dhjetorit, u kërkua të japë dorëheqjen.

“Ne ndeshëm në një qëndrim kokëfortë të mazhorancës që tentoi ta kthejë këtë konferencë në një konference normale. Përveç shkeljes së Kushtetutës ne ngritëm edhe probleme të tjera të asaj seance, sjelljen e paprecedentë të Gardës që i preu fjalën zotit Berisha apo marrjen e kartave. Ne e kemi deklaruar se sa kohë Kushtetuta do të jetë e shkelur, marrëdhënia e opozitës me Kuvendin do të jetë e kushtëzuar”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. /a.y/noa.al