Transmetuar më 10-01-2018, 17:45

Kryeministri Edi Rama deklaron se aktualisht janë 420 vende vakante në pozicionin e infermierisë.

I pranishëm pasditen e sotme gjatë prezantimit të portalit “Infermierë për Shqipërinë”, ai tha se ashtu siç u testuan mësuesit ku përmendi portalin “Mësues për Shqipërinë”, edhe infermierët do të testohen.

Kreu i qeverisë deklaroi se në bazë të testimit, secili do të marrë pikët që i takojnë dhe në bazë të pikëve secili do të gjejë vendin e vetë në klasifikim.

Po ashtu tha se në bazë të klasifikimit shpërndarë sipas zonave gjeografike, do të merren individët me radhë për plotësimin e vendeve vakante.

“Sot janë 420 vende vakante në infermieri. Kemi refuzuar ti mbushim me ndërhyrje nga poshtë, nga anash dhe nga lartë, pasi përgatiteshim për këtë proces. Nëse nuk do ishte e vërtetë që nuk do kishim këtë vullnet, sot nuk do kishim vende vakante. Nuk ia besojmë dot partisë rekrutimin e personelit të shërbimit shëndetësor, siç janë infermierët, por do t’ua adresojmë më të aftëve dhe atyre që janë të aftë për të marrë një punë si infermierë dhe ne i vlerësojmë në bazë të meritës”, u shpreh Rama.

Ai tha se nuk do të funksionojë më punësimi pse njihet deputeti i zonës, kryetari i partisë në zonë, apo kushëriri i ministres, duke nënvizuar se vetëm pikët e testimit do jenë kriter për punësim.

Sipas tij, testimi do të jetë transparent sipas procedurave të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë, duke nënvizuar se ky është një çlirim shumë i madh.

Kryeministri deklaroi se ka qenë dëshmitar në shumë raste i pamundësisë për ta ndaluar padrejtësinë në këtë sistem, për shkaqe ekuilibrash politik, për shkaqe të një tradite të gjitha partive politike, përfshi dhe PS.

Ai tha se ka ndjerë dobësi dhe turp kur përballë ankesave legjitime të një infermiereje me 20 vjet eksperiencë, e cila është larguar për tu zëvendësuar nga një infermiere e sapo licencuar, meritat e të cilës sipas tij, i ka ditur deputeti X, në partinë X, për spitalin X.

Rama tha se raste të tilla ka pasur shumë, por nuk do të ndodhin më.

Ai bëri me dije se kushdo infermier apo infermiere që do të dalë në pension apo do të largohet nga puna, do të zëvendësohet automatikisht nga infermieri i radhës, bazuar në pikët e testimit.

Rama tha se është planifikuar rritje e mëtejshme rrogash për infermierët në të gjitha nivelet, duke shtuar se më shumë do të rriten rrogat për infermierët se sa për profesorët. /a.y/noa.al