Transmetuar më 10-01-2018, 14:14

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në vijim të takimeve për përgatitjen e protestës së 27 janarit u ndal në qytetin e Durrësit.

Basha ftoi shqiptarët t’i bashkohen opozitës për të bërë të mundur me votë të lirë ndarjen e qeverisë nga krimi.

Në takimin me demokratët e Durrësit, Basha tha se bashkimi është rruga e vetme për t’i dhënë fund pengmarrjes së Shqipërisë nga aleanca e Edi Ramës me krimin.

“Bashkohemi në një aksion të madh opozitar që nis me protestën e 27 janarit, por që do të vazhdojë me dinamikë në çdo dimension. Për një arsye të thjeshtë. Edi Rama e ka humbur të drejtën të qeverisë. Kush i shërben krimit, nuk i shërben dot të varfërve. Kush i shërben trafikantëve, nuk i shërben dot fëmijëve të shqiptarëve. Nuk bëhen dot të dyja. O njëra, o tjetra. Nuk ka vend për të qëndruar në mes”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës tha se vota e blerë nga një Kryeministër që sipas tij, bashkëqeveris me krimin, ndikon tek çdo familje.

Basha tha se duke asgjësuar lirinë e zgjedhjes, Edi Rama ka asgjësuar lirinë e çdo prindi për të siguruar të ardhmen e fëmijëve të tyre, ka asgjësuar lirinë e jetës duke shkatërruar shëndetësinë, ka shkatërruar lirinë e sipërmarrjes, motorit të vetëm të vërtetë të ndryshimit të Shqipërisë, që krijon vende pune.

“Nëse votën e merr me kriminelët, nuk ndjen detyrim me njerëzit e thjeshtë, kaq e thjeshtë është. Kjo është arsyeja përse 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e dritës dhe të ujit. Kjo është arsyeja përse 30% e shqiptarëve nuk paguajnë dot nevojat minimale ushqimore. 39% nuk ngrohin dot shtëpitë. 70% e atyre që ikin janë nga mosha 19 deri 34 vjeç. Nuk e ka fare shqetësim. Shqetësim e ka, si t’i mbrojë kriminelët e vetë”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës tha se kryebashkiaku i Durrësit, i kapur duke u kërkuar kriminelëve blerjen e votave në shpërblim të tenderave, është modeli i aleancës së Edi Ramës me krimin dhe se, bashkë me Ardian Çelën, do të kenë të njëjtin fund.

“Fati i tyre është para drejtësisë”, u shpreh Basha, duke shtuar se drejtësia e pavarur dhe e pakapur politikisht është një mesazh tjetër që kryetari i PD dha në Durrës.

“Çfarë kërkojmë ne? Ne kërkojmë drejtësi. Ne kërkojmë drejtësi sepse duam zgjedhje me drejtësi, jo blerje të pushtetit. Duam një drejtësi që ndëshkon krimin dhe korrupsionin, që ndëshkon Sajmir Tahirin dhe banditët e tij, që ndëshkon qeveritarët e korruptuar, që ka guximin të vendosë para drejtësisë dhe prapa hekurave këdo qeveritar dhe pushtetar pavarësisht prej pushtetit”, deklaroi kreu i demokratëve.

Lulzim Basha shpjegoi rëndësinë e pjesëmarrjes masive në protestën e parë të 27 janarit, duk enënvizuar se masiviteti në protestë është mesazhi më i qartë se papajtueshmëria, që qytetarët e prekin kudo me këtë qeverisje, nuk është më e heshtur, por është zëlartë dhe është një refuzim i pakapërcyeshëm.

“Është sinjali më i vërtetë, më i qartë se e keqja ka rënë moralisht”, tha Lulzim Basha. Duke e konsideruar Partinë Demokratike si e vetmja shpresë për vendin, kreu i opozitës deklaroi se pjesëmarrja masive në protestë është hap vendimtar për të shkuar drejt krijimit të një qeverie antimafia që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. /a.y/noa.al