Transmetuar më 09-01-2018, 12:57

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në fshatin Babimovc të Obiliqit, në Kosovë ku dy persona burrë e grua janë gjetur të pajetë në banesën e tyre.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të darkës, ku policia pas marrjes së njoftimit ka konstatuar se viktimat kanë qenë G. M., 50 vjeçe, dhe B. M.,  55  vjeç.

Nga hetimet paraprake dyshohet se kryefamiljari vuante nga probleme psikike dhe për këtë arsye fillimisht mund të ketë mbytur bashkëshorten e tij me litar dhe më pas ka vrarë veten me thikë, e cila edhe është gjetur në afërsi të tij.

Vdekjen e viktimave e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor dhe me urdhër të Prokurorit trupat e pajetë janë dërguar për autopsi. 

Policia dhe grupi hetimor të cilët ndodhen në vendin e ngjarjes po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të saj dhe arsyet e vërteta të vdekjes së tyre.

Nga ana e policisë është konstatuar se të gjitha dritaret e banesës kanë qenë të mbyllura, si dhe dera e shtëpisë, duke hedhur poshtë alternativën se ata mund të jenë sulmuar nga peresona të tjerë.

Vlen të theksohet fakti se nga informacionet fillestare që posedon policia ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari vuante nga probleme psikike për një periudhë të gjatë kohe. Ky version mund të përforcohet apo të ndryshojë pas autopsisë, ekzaminimit të dëshmive të marra nga vendi i ngjarjes, dhe rezultatit të hetimeve që po zhvillohen. /b.l/noa.al/