Transmetuar më 09-01-2018, 12:05

“Kam ëndërruar gjithmonë që të bëhem e madhe, që një ditë do të kisha rrudha dhe që flokët e mi do të bëheshin të bardhë. Ëndërroja të krijoja një familje me njeriun që dua. E kam dëshiruar kaq shumë, sa që jam lënduar”.

Janë këto fjalët e shkruara nga 27-vjeçara australiane Holly Butcher nga New South Wales, e cila u nda nga jeta për shkak të një tumori.

Por para se të shuhej, ajo shkroi një letër të gjatë prekëse, të cilën e publikoi në profilin e saj në Facebook.

Letra e saj është një apel ndaj jetës dhe ndaj gëzimeve të saj të cilat duhen shijuar në maksimum.

“Jeta është kështu! E brishtë, e çmuar e paparashikueshme. Çdo ditë që kalon nuk është një e drejtë e jona, por një dhuratë që na jepet. Tani jam 27 vjeçe dhe nuk dua të vdes, e dua jetën time, jam e lumtur dhe në borxh me njerëzit e mi të dashur. Por nuk e kam kontrollin e jetës sime në duar”, shkruan më tej ajo, citon noa.al.

Për Holly nuk kishte asgjë më të rëndësishme se sa të ndihej mirë dhe e lumtur, “Nuk e di se sa kohë të mbetet për të jetuar, kështu që mos humb kohë duke qenë i trishtuar”.

Letra e saj mbyllet me disa ftesa, “Dëgjoni muzikë, dëgjojeni vërtetë. Muzika është një terapi. Përkëdhelni qenin tuaj. Flisni me të dashurit tuaj në telefon. Udhëtoni, nëse ju pëlqen, ndryshe mos e bëni. Punoni për të jetuar, mos jetoni për të punuar. Hajini tortat pa brejtje ndërgjegje. Mos bëni atë që të tjerët mendojnë se është e duhura. Thojuni njerëzve tuaj që i doni. Nëse diçka ju trishton, dijeni se keni gjithmonë mundësi për ta ndryshuar”. /a.y/noa.al