Transmetuar më 08-01-2018, 19:22

Jetojmë në një sistem, i cili në fasadë është i veshur me petkun e një sistemi normal.

Por sa është i vërtetë, real dhe funksional për njerëzit?

Shumëkush e ka përgjigjen: Larg nesh!

Mjeku i njohur, prof. Dr. Adem Harxhi, jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai pohon se ka një sistem social, i cili është kapitalizmi, ekonomia e tregut.

Por vallë a jemi duke jetuar në një sistem të tillë?

Dr. Harxhi shpjegon arsyet pse jo:

“Sistemi ekonomik që kemi nuk funksionon. Nuk është në rregull për faktin se ne kemi kaq shume njerëz pa punë, ndërkohë që kemi kaq shumë nevoja të papërmbushura dhe punë për të bërë”, – evidenton mjeku i njohur që për disa vite rresht i përgjigjej qytetarëve në televizion me këshilla mjekësore dhe edukatë seksuale.

E në fakt kështu ndodh në Shqopëri: Janë plot e përplot të papunët, por ka kaq shumë punë që duhen bërë.

Më tej mjeku i njohur evidenton: “Nuk është në rregull, që shtëpitë të rrijnë bosh, ndërkohë që ka kaq shumë të pastrehë”.

Edhe këtu, z.Harxhi ka të drejtë. Në rastin e vendit tonë, ka mijëra njerëz që kanë më shumë se një shtëpi dhe ose i nxjerrin para, ose i lënë bosh. Kjo e dyta është dhe më e shpeshtë prej tyre, sidomos kur janë në emigracion.

Dr.Harxhi thotë se “ky është një sistem ku janë socializuar humbjet dhe janë privatizuar fitimet (të varfrit varfërohen gjithnjë e më shumë, ndërsa të pasurit pasurohen gjithnjë e më shumë)”.

Në këtë pikë, dr. Harxhi i cituar nga noa.al, shprehet i sigurt se “ky nuk është kapitalizmi” dhe se “kjo nuk është ekonomi tregu”.

Në të kundërt, – thotë z.Harxhi, “kjo është ekonomi e ç’rregullt” dhe paralajmëron: “Nëse vazhdojmë kështu, ne nuk do të rritemi dhe nuk do të krijojmë dot një shoqëri të drejtë”. /noa.al/