Transmetuar më 08-01-2018, 16:51

Deputeti demokrat Tritan Shehu, reagon ndaj priftit malazez të Kishës së Vrakës në Shkodër, Radomir Niçkeviç, i cili tha se Kosova është vend i shenjtë i Serbisë dhe ndaj ambasadorit serb në vendin tonë i cili doli në të njëjtën linjë.

Shehu thotë se, sipas burimeve mediatike, brenda dy ditëve nga Shkodra një prift malazez dhe me tej ambasadori i Serbisë në vendin tonë, deklarojnë se “Kosova është Serbi”.

Ai shprehet se secili është i lirë të ketë opinionin dhe përkatësitë e tij në një vend demokratik.

“Por përderisa këto deklarata bëhen publike, pasqyrohen gjerë në media, irritojnë opinionin publik në vendin tonë, do të duhej një reagim qoftë dhe formal i Ministrisë sonë të Jashtme ndaj tyre. Ministria jonë nuk ka pse të heshtë, jam i bindur se në Beograd nuk do të heshtej në një rast të tillë analog”, shkruan Shehu në Facebook.

Deputeti demokrat shton se, gjykon se autorët e këtyre deklaratave është më e udhës dhe më racionale të evitojnë të tilla prononcime publike në vendin tonë.

Prifti malazez i Kishës së Vrakës, Radomir Niçkeviç, pas mbajtjes së meshës së të dielës tha se e vlerëson ligjin e miratuar nga parlamenti shqiptar për minoritetet, por deklaroi se “Kosova është një vend i shenjtë i Serbisë”.

Nikeviç shtoi më tej se Serbia ka shumë kisha dhe vende të shenjta në Kosovë.

Ambasadori serb në Tiranë, Miroljub Zariq, nga Shkodra ku ndodhej në një vizitë këtë të hënë, deklaroi se “Kosova është Serbi, për ju e pavarur por për ne jo”.

“Për ne Kosova është pjesë e territorit të Serbisë dhe nuk ka mundësi të pranohet alternativë tjetër, ka qenë, është dhe do të jetë e Serbisë”, tha ai, duke nënvizuar se kjo çështje gjithsesi nuk ndikon në marrëdhëniet me Shqipërinë. /a.y/noa.al