Transmetuar më 08-01-2018, 14:14

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Laprakë, njësi administrative e Tiranës me 70 mijë banorë, ku inauguroi Qendrën e re Shëndetësore.

Me anë të një financimi prej 230 mijë eurosh, kjo qendër është zgjeruar dhe pajisur me aparaturat e nevojshme, duke sjellë edhe shërbime të reja deri dje jashtë kushteve minimale, siç shërbimi i konsultorit të fëmijëve, tek shërbimet obstretike-gjinekologjike dhe ndjekjes së fëmijës.

Kryeministri Edi Rama, shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. 

Në fjalën e rastit kreu i qeverisë tha se është e vetmja rrugë që të lehtësohet i gjithë shërbimi në spitale dhe që të ndahet shërbimi parësor me nevojat e menjëhershme të njerëzve me shërbim më të specializuar pastaj në qendrat e mëdha spitalore.

“Ndryshe do ishte e pamundur që të bëhet edhe njëra dhe tjetra dhe s’bëhet tamam as njëra as tjetra. 300 do bëjmë në këto 4 vjet”, u shpreh Rama.

Nga ana e saj ministrja Manastriliu tha se është një qendër që ofron edhe shërbime plus për nënën dhe për gruan shtatzënë.

Sistemi i referimit elektronik për shërbimin te mjeku specialist lehtëson shërbimin nga burokracitë. Edhe në këtë qendër, sikurse në 36 qendrat shëndetësore të Tiranës dhe rrethinave, si dhe në 4 poliklinikat e specialiteteve në Tiranë, ka nisur të funksionojë ky sistem i ri, i cili mundëson që vizita te mjeku specialist të rezervohet online për pacientin nga mjeku i familjes dhe nuk do të jetë më e nevojshme që pacienti të sorollatet me letra në dorë e vula pa fund për të kryer një vizitë të specializuar.

Manastriliu tha se në të 36 qendrat shëndetësore në Tiranë edhe në katër poliklinikat e specialiteteve për herë të parë kemi përfshirë një sistem të ri, referimin elektronik dhe ekzaminimin elektronik.

Sipas saj, tani qytetarët shmangin radhët e gjata të pritjes te mjeku specialist duke vendosur nëpërmjet sistemit elektronik orën, datën e vizitës dhe sigurisht ndihmon mjekët për të pasur aktivimin e të gjithë diagnozës së pacientit dhe shërbimet që ofron.

“Ky rezervim mund të bëhet direkt në portalin E-Albania për të gjithë qytetarët e interesuar për të lënë një takim me mjekun specialist. Ndërkohë në bazë të sistemit të referimit mjeku i familjes mund të kryejë llogari të pacienteve këtë rezervim online”, deklaroi Manastirliu.

Qendra është pajisur për herë të parë edhe me aparatura të reja dhe mjetet obstetrike-gjinekologjike bashkëkohore, të cilat mungonin. /a.y/noa.al