Transmetuar më 06-01-2018, 20:33

Nga Jorida Tabaku

Njësoj si në vitet e miqësisë së ngushtë me Kinën e Mao CeDunit ku qeverisja e popullit kundër “burokratizimit” të shtetit ishte luga bosht me të cilën qeveria e Enver Hoxhës ushqente masat edhe Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste nuk i kish lënë gjë mangët. Nën frymën e revolucionit që dikur udhëhiqte nënën parti ndaj burokratëve, sot PS na përcolli një rezyme të arritjeve të qeverisë. Nuk dëgjuam asnjë fjalë për varfërinë, krimin e organizuar që ka zaptuar shtetin që nga polici më i vogël e deri tek një ish ministër i brendshëm.

Për asgjë nga këto nuk dëgjuam kurrgjë.

Si përherë nga goja e kryeministrit dhe ministrave dëgjuam refrenin e radhës se “fajin e ka Opozita”. Sipas kryeministrit është faji i opozitës që institucionet e vettingut sot nuk janë funksionalë në 100% të mundësive sepse qeveria ka akorduar vetëm gjysmën e strukturës dhe buxheteve. Mbetet përherë faji i opozitës që Shqipëria sot nuk ka institucionin e KLP-së sepse Kryeministri përmes tentakulave të tij pengonte deri dje kandidatët nga shoqëria civile. Si duket është sërishmi faji i opozitës që Shqipëria u mbush me drogë, që një ish ministër i qeverisë Rama dhe një nga njerëzit më pranë tij është i përfshirë në trafikun e drogës dhe lidhjen me krimin e organizuar. Me gjasë është faji i opozitës që investimi i palmave rezultoi në paralizimin dhe përmbytjen për herë të parë në 27 vjet të hyrjes së Tiranës.

Kjo është bota e një kryeministri që përpiqet të fshehë të vërtetën duke ia hedhur fajin armiqve të jashtëm dhe të brendshëm. Përkundruall kësaj bote ai krijon edhe Shqipërinë e imagjinuar, më të mirën e botëve, duke i veshur vetes dhe qeverise që ai drejton arritje imagjinare.

Në botën e kryeministrit shqiptarët janë qytetarët që paguajnë taksa të ulëta, ndërkohë që e vërteta është se ne sot jemi vendi që kemi taksat më të larta e të ardhurat nga këto taksa janë më të ulëtat në rajon. Jo vetëm studimet edhe krahasimet me taksat edhe të ardhurat nga vendet e rajonin por edhe studimet e FMN dhe BB raportojnë rritjen e taksave që kumulativisht kanë shkuar në 2 mld USD.

Ndërkohë që vendi vazhdon të vuajë politikat e gabuara fiskale investimet e huaja vazhdojnë të largohen. Sipas të dhënave nga INSTAT dhe BSH vërehet se pjesën më të madhe të investimeve e mban ende TAP dhe Devoll, qeveria hë për hë ka 0 investime të huaja. Pa investim por me një borxh publik që është rritur në 70% të PBB-së duke rënduar në supet e brishta të një shoqërie që po kursen më pak edhe po harxhon më shumë borxhin e gjithsecilit prej nesh.

Me sa duket, kryeministri e ka harruar se si bizneseve të vogla (deri në 2 milion lekë) u ka vendosur TVSH-në ndërsa bizneseve pranë qeverisë u ka hequr të gjitha taksat. Ka harruar gjithashtu që qeveria u ka krijuar kushte vetëm një sëre të vogël investitorësh që përfitojnë gjithë tenderat publikë dhe që do të jenë pjesë e skemës së pastrimit të parave që qeveritarët kanë përfituar nga trafiku i drogës. Por shqiptarëve u ka rritur energjinë elektrike, çmimin e ujit dhe ushqimet.

E gjithë propaganda sot është drejtuar për të goditur të vërtetën e varfërisë, drogës, krimit të lidhur me qeverinë dhe frikën e një drejtësie të pavarur ne duhet të gjejmë forcën për të thërritur të vërtetën pikërisht aty ku gënjeshtra po shitet si e vërtetë. Sikur thosh dikur, Huxley, një nga penat më interesante të Amerikës së shekullit të shkuar; faktet nuk mund të rreshtin së ekzistuari sepse dikush ka zgjedhur t’i injorojë ato.

Asambleja e Partisë Socialiste nuk qe vetëm se një prodhim kinematografik me regji qendrore, zyrën e Propagandës qeveritare brenda selisë së Kryeministrisë.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al