Transmetuar më 06-01-2018, 17:55

Nga Ylli Manjani

Viti i opozitës

Ky vit do jetë i gjatë, në kuptimin që nuk pritet ndonjë ngjarje politike. Rilindja do vijojë të sundojë, pavarësisht skandaleve që i shpërthejnë çdo ditë!

Por është një mundësi e mirë që partitë e opozitës të formësojnë një alternative serioze qeverisëse. Një mundësi që nëse nuk shpërdorohet, mund ti jepte hapësirës demokratike një dimension tjetër të paparë deri më sot.

Denoncimi i së keqes nuk mjafton! Reagimi i dhunshëm jo e jo! Të dyja këto veprime vetëm sa çimentojnë të keqen që qeveris.

Natyrisht edhe denoncimet edhe protestar reaguese duhen, por vendi ka nevojë për shpresë. Kjo e fundit vjen vetem kur opozita të jetë alternativë dhe të ngjallë besim.

Në këto kushte gjykoj se partitë e opozitës duhet ta përdorin këtë vit për:

1. Tu bashkuar në një aleancë të madhe partish e vlerash opozitare me këtë qeveri. Ky do të iahte hapi i parë i rikthimit të besimit. Kjo lëvizje do ti presë rrugën propagandës së Rilindjes që e do opozitën të përçarë. Ja ka arritur deri me sot…

Sa më shpejt të shpallet kjo aleancë aq më mirë do jetë! Çdo vonesë çon ujë në mullirin e të keqes që sundon e nuk qeveris!

2. Ndërtuar një alternativë europianiste të Shqipërisë. Opozita duhet të kërkojë me ngulm çeljen e negociatave me BE. Ndërkohë është krejt e mundshme që opozita të shpalosë platformën e saj për shndërrimin e territorit të Shqipërisë në një hapësirë ekonomike Europiane.

Kështu trajtohet më mirë e sotmja dhe projektohet e ardhmja.

3. Rrisë kontaktet me shqiptarët për të ndarë me ta jo vetëm të keqen që sundon, por edhe alternativën e re që opozita e bashkuar duhet të ndërtojë.

Kjo sjellje do ti jepte përgjigjen e duhur pyetjes që ngre sot opinioni vendas dhe jo vetem: “kush është leader-i dhe programi që do të përmbysë Rilindjen dhe do qeverisë vendin”?

Deklaratat apo levizjet politike kuturu, të pa koordinuara nuk besohen më. Ato vetëm i shtojnë jetën të keqes që sundon.

Politika nuk mund të vijojë të jetë si tregu i gjësë së gjallë, ku njerëzit thonë “kjo kafshë bën, e kjo tjetra jo”!

Komentet politike vijojnë të bëhen për emra politikanësh e jo për idetë apo sjelljet e tyre!

Kjo vjen vetëm nga fakti se politika nuk ka më ide, por vetëm sjellje harbute, ku mbahet mend harbuti më i suksesshëm!

Ndaj them që opozita e sotme ka një shanc të ndërtojë një alternativë, që ta largojë oponionin nga kulti i harbutit dhe ta çojë tek ideja për të qeverisur në ekip dhe me projekt të qartë.

Shpresoj shumë…

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al