Transmetuar më 03-01-2018, 11:59

Vrasje me armë zjarri është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lipjan të Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit në një restorant që ndodhet në kryqëzimin Lipjan- Janjevë, saktësisht në fshatin Dobratin, Prishtinë.

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur M.O., 36 vjeç, i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, por ka ndërruar jetë pasi nuk i ka rezistuar dot plagëve të marra.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor i QKUK-së rreth orës 04:00.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë ligjore për autopsi,  ndërkohë që hetuesit janë duke punuar për të zbardhur dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me vrasjen.

Personi i dyshuar për këtë rast ndodhet në arrati, ai është identifikuar nga ana e policisë dhe po kërkohet për t’u vënë para drejtësisë.

Shtëpia e tij është kontrolluar nga forcat policore ku janë konfiskuar dy armë zjarri: një pushkë e tipit M48 (me leje) dhe një revole e tipit TT e cila dyshohet të jetë përdorur për krimin në fjalë. /b.l/noa.al/