Transmetuar më 28-12-2017, 13:12

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Financave dalin me deklaratë lidhur me takimin që ministri Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj, patën me një përfaqësi të punëtorëve të rafinerisë së naftës në Ballsh dhe Fier dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Naftëtarëve.

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e sindikatës parashtruan kërkesat e mëposhtme:

-Kryerja e pagesës për muajin Nëntor;

-Sqarimin e problematikës në lidhje me përfitimin e statusit të naftëtarit;

-Krijimin e infrastrukturës shëndetësore për trajtimin e sëmundjeve profesionale në Qarkun e Fierit;

-Gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike për të ardhmen e rafinerisë.

Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj theksuan edhe njëherë faktin se rafineria është tanimë një ndërmarrje në pronësi e përgjegjësi private, e për pasojë është detyrim ligjor dhe kontraktual i punëdhënësit privat të respektojë të gjitha detyrimet sipas legjislacionit në fuqi.

Institucionet shtetërore, duke marrë parasysh problematikën e parashtruar nga qytetarët e Bashkisë së Ballshit, por edhe shqetësimet e bëra publike nga Sindikata e Naftëtarëve, janë angazhuar me seriozitet të plotë dhe në mënyrë të vazhdueshme që nga njëra anë punëdhënësi privat të plotësojë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj punonjësve dhe nga ana tjetër të drejtat e punonjësve të garantohen sipas ligjit.

Me kërkesë të Sindikatës së Naftëtarëve, në takim u ftua dhe mori pjesë edhe administratori i kompanisë private IRTC, i cili garantoi përfaqësinë e punonjësve se brenda ditës së nesërme do të paguajë pagën e plotë të muajit Nëntor.

Në lidhje me Statusin e Naftëtarit, përfaqësia e punonjësve të Rafinerisë së Naftës në Ballsh do të punojë ngushtësisht me grupin e punës të ngritur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për të përmbyllur në një kohë sa më të shpejtë aplikimet ligjore për përfitimin e statusit.

Sa i përket të ardhmes së kësaj rafinerie dhe sektorit të përpunimit të naftës në përgjithësi, ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj i bënë edhe një herë me dije përfaqësisë së punonjësve se rafineria është në pronësi private, por institucionet shtetërore do të shohin mundësinë e thithjes së investitorëve seriozë në sektorin e përpunimit, në mënyrë që kjo industri të ketë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Në të njëjtën kohë, kërkesës së punonjësve për ngritjen e një pavioni të specializuar për sëmundjet profesionale të naftës në Spitalin e Fierit, ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj iu përgjigjën me garancinë se plani i investimeve në sektorin e shëndetësisë në Qarkun e Fierit do të marrë përmbajë edhe këtë prioritet.

Palët ranë dakord për të qëndruar në kontakt të vazhdueshëm dhe komunikim të drejtëpërdrejtë në ditët në vijim, me shpresën e një zgjidhjeje sa më të mirë dhe afatgjatë.

Qysh prej ditës së djeshme rreth 200 naftëtarë të uzinës së Ballshit janë në protestë, ku paraditen e sotme po protestojnë para Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës në Tiranë.

Mësohet se gjashtë përfaqësues të naftëtarëve janë thirrur në takim me ministrin Damian Gjiknuri, ku po parashtrojnë kërkesat e tyre.

Ata kërkojnë rrogat e prapambetura, marrjen e sigurimeve dhe rifillimin e punës në uzinë. Për shkak të një avarie të ndodhur në uzinë, disa javë më parë u plagos një punonjës dhe nisur nga kjo situatë, u pezullua puna, deri në momentin që do të përfundojë remonti i repartit të Koksit.

Kujtojmë se naftëtarët kërkojnë dy muajt e prapambetura të rrogave, si dhe pagesën e sigurimeve shoqërore për një vit.

Paraditen e djeshme ata u nisën në këmbë nga Fieri drejt Tiranës, ku paraditen e sotme mundën të organizojnë një takim dhe me ministrin Gjiknuri. /a.y/noa.al