
Aksident me pasojë një person të plagosur është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Elbasanit.
Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan – Librazhd, në fshatin Mengël, ku shtetasi Sh.R., 54 vjeç, banues në Elbasan duke drejtuar mjetin me targa EL 8223 B ka aksidentuar 65 vjeçarin Z.N., i cili lëvizte me një kafshë pune.
Menjëherë pas përplasjes i aksidentuari është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin Kirurgjik të Elbasanit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. /b.l/noa.al/