Transmetuar më 07-12-2017, 22:11

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka bërë një deklaratë mjaft alarmante, në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në “News24”. Panariti u shpreh se rezervuarët në vendin tonë, rrezikojnë të çahen, gjë që do të shkaktonte një tragjedi shumë të rëndë.

“Jemi përballë një rreziku shumë të madh dhe konkret. Një rezervuar në mënyrë ciklike, duhet zbrazur, duhet thelluar. Rezervuarët kanë kaluar në administrimin ë bashkive. Një kryetar bashkie nuk e ka prioritet. Shiko çfarë po ndodh, po çahen rezervuarët. Ka një sërë rezervuarësh që janë në prag shpërthimi, do krijojnë cuname të vërteta. Kërkohet komision që të investigojë këtë gjendje të rezervuara. Mund të shkaktohet tragjedi e vërtetë. Rezervuarët nuk vadisin më, sepse nuk ka më bujqësi. Duhet urgjentisht një komision që të investigojë”, tha ish-ministri Panariti.

Ai u shpreh se gabimi i madh është që rezervuarët tani janë nën administrimin e bashkive, të cilat nuk i kanë prioritet.

“Ministria e Bujqësisë nuk i ka më nën mbikëqyrje këto, i kanë kaluar bashkive. Por bashkitë, janë të fokusuara në gjëra të tjera. Nuk e kanë mendjen çfarë ndodh 20-30 kilometra më tej. Këto basene, janë asete kombëtare, nuk mund të administrohen nga një bashki”, u shpreh ish-ministri Panariti.