Transmetuar më 07-12-2017, 16:52

Nuk ka vonuar reagimi i imamit Armand Ali, i marrë nën hetim së fundmi pas deklaratës së tij pak ditë më parë se besimtarët myslimanë nuk duhet të festojnë Pavarësinë e Shqipërisë.

Përmes një statusi në Facebook, imami Ali tregon se një ditë më parë ka qenë për rreth 3 orë në polici ku është marrë në pyetje për deklaratën e bërë.

Imami nuk ngurron të bëjë akuza në drejtim të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilin e cilëson si një institucion gylenist.

Ndërsa shton se nuk tërhiqet nga deklaratat e tij për Pavarësinë.

“Ky status i imi nuk ka aspak qellim “kërkimin e faljes” nga askush e as tërheqjen pas nga fetvaja ime. Fetvasë i përmbahem fjalë për fjalë dhe e deklaroj përsëri se besimtarët muslimanë kanë vetëm dy festa, Bajramin e Fitrit dhe Bajramin e Kurbanit. Çdo festë tjetër, me çfarëdolloj karakteri qoftë, nuk është veçse shpikje në fe, bidat, dhe çdo bidat është humbje.”

Kujtojmë se Drejtoria e anti-terrorit në Policinë e Shtetit ka referuar materialet në Prokurori ndaj 44-vjecarit pasi akuzohet për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”.