Transmetuar më 07-12-2017, 13:20

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi nis vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai u prit në takim nga zëvendëskryetari i nënkomisionit për Terrorizmin dhe Financimin e Paligjshëm, Robert Pittenger.

“Të dyja vendet tona ndajnë të njëjtat angazhime, të njëjtat vlera dhe pikëpamje, si dhe të njëjtat shqetësime. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Shqipëria të jetë një vend i fortë, i sigurt dhe një vend që gëzon paqe e begati. SHBA-të kanë një lidhje të fuqishme me Shqipërinë, dhe ne ju jemi mirënjohës dhe ju falënderojmë për miqësinë që kemi, e cila do të forcohet në vite”, u shpreh Pittenger.

Nga ana e tij Ruçi tha se vizioni për një Shqipëri të fortë dhe të besueshme mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shqiptarët nuk e harrojmë kurrë mbështetjen e SHBA-ve për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Shqipëria është sot një vend anëtar aktiv i NATO-s dhe partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit falë mbështetjes së SHBA-ve. Reforma në drejtësi, u përgatit dhe u miratua me mbështetjen e SHBA-ve”, deklaroi Ruçi.

Ai shprehu bindjen se Shqipëria do të ketë një sistem të besueshëm drejtësie, duke nënvizuar se miratimi i reformës është garanci e domosdoshme për sipërmarrjet e huaja, duke përfshirë edhe ato amerikane për të investuar në Shqipëri

Pittinger përgëzou Ruçin për detyrën e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve

Kujtojmë se kryetari i Kuvendit shoqërohet në SHBA nga deputetët Taulant Balla, Mimi Kodheli dhe Anastas Angjeli. /a.y/noa.al