Transmetuar më 06-12-2017, 23:27

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Bruksel, Ministri për Europën dhe Politikën e Jashtme Ditmir Bushati ka zhvilluar një takim me homologun e tij grek Nikos Kotzias.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Ministri Bushati përmes një postimi në Twitter.

Kreu i diplomacisë shqiptare zbulon edhe detaje nga takimi, kur thekson se mes të dy zyrtarëve janë diskutuar çështje të rëndësishme që shqetësojnë të dyja vendet.

“Është gjithmonë kënaqësi të takohem dhe të diskutoj me mikun dhe kolegun Nikos Kotzias çështje të një rëndësie të përbashkët”, shkruan Bushati.

Por edhe pse nuk ka dhënë detaje të mëtejshme, nuk është sekret tashmë se mes dy vendeve ka nisur diskutimi për zgjidhjen e një sërë çështjesh dhe problemesh të mbartura ndër vite.

Për këtë arsye, ministri grek Kotzias pritet të vizitojë shumë shpejt Tiranën, për të vijuar diskutimet e nisura pak kohë më parë në Kretë. (e.c/noa.al)