Transmetuar më 06-12-2017, 18:26

Banka e Shqipërisë pritet të hedhë në treg shumë shpejt kartmonedhën e re me vlerë 10 mijë lekë të reja (100 mijë lekë të vjetra).

Vendimi është marrë në mbledhjen e kësaj të mërkure të Bordit Drejtues të BSH-së, ku u miratua madje edhe tematika e kartëmonedhës shqiptare me vlerë 10.000 lekë

Sipas njoftimit të BSH-së, kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”. 

Krahas kësaj, u miratuan tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës.

Megjithatë, nuk është përcaktuar saktë se në cilën datë do të nisë hedhja në treg e kartmonedhës më të re shqiptare, dhe njëkohësisht edhe me vlerën më të madhe.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë. (e.c/noa.al)