Transmetuar më 06-12-2017, 16:46

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj i është përgjigjur akuzave të opozitës dhe më konkretisht të ish-Kryeministrit Sali Berisha, për përmbytjen e një pjese të kryeqytetit gjatë shirave.

Sipas Veliajt, këto deklarata janë të papërgjegjshme, aq më tepër kur vijnë nga një person që ka drejtuar Shqipërinë për disa vite.

Veliaj madje ka akuzuar direkt ish kryeministrin Sali Berisha, që sipas tij “burri plak” abuzon në mënyrën më të ulët të mundshme.

“Kur dëgjoja emra që kanë drejtuar shtetin shqiptar, që nuk dinin ku binte Bovilla, që thoshin se Bovilla ka përmbytur një lagje në Tiranë, ndërkohë që mes tyre është Lumi i Tiranës. Pra, do të duhet të ishte përmbytur lumi pa të na vinte në Tiranë. Ky burrë plak ka drejtuar Shqipërinë kaq vite dhe abuzon në mënyrën më të ulët të mundshme. A e ndihmon kjo shoqërinë, duke i hequr alibinë çdo njeriu që ka prerë pemë dhe çdo njeriu që ka ndërtuar lumë, kur ke një politikan, një njeri të moçëm të këtij vendi që ka drejtuar vendin dhe që është gati të përdorë çdo lloj populizmi, çdo lloj gënjeshtre, kundër sensit të gravitetit të drejtimit të lumenjve, por ta shfrytëzojë: E thotë u bë qameti të kap një votë?”, deklaroi Veliaj.

Këto deklarata veliaj i bëri gjatë kësaj të mërkure në tryezën e konsultimit të parë publik për “Planin e Veprimit për Qytetin e Gjelbër”. (e.c/noa.al)